Fisnik PASHOLLI
Shkup, 27 mars – Jetë me kredi. Kështu mund të përshkruhet orientimi sa vjen e më i madh i qytetarëve të Maqedonisë të gjeneratës së re që të blejnë banesa me hyrjen në borxh nëpër banka, shkruan gazeta KOHA. Çiftet e reja me së paku dy paga solide në muaj, vendosin që në vend të pagesës mujore të qerasë, të marrin kredi dhe të kenë kulmin e tyre nën kokë. Për të marrë kredi, krahas pagave të larta ose vendosjes së banesës në hipotekë, nevojitet edhe pjesëmarrja më e madhe në totalin e kredisë, me qëllim që të ulet shuma që në fund duhet të kthehet si kredi, së bashku me kamatat. Përderisa një pjesë e madhe e banorëve të Evropës jetojnë me qira, për shkak se nuk kanë mundësi të blejnë banesën e tyre, te ne rritet nga viti në vit numri i qytetarëve që blejnë banesë me kredi në vend se tërë jetën të paguajnë qira dhe tu shkojnë të hollat huq.
DYFISHIMI I KREDIVE BANESORE
Analizat tregojnë se shuma më e shpeshtë që miratohet nga ana e bankave, është afër 30 mijë euro, për të cilën duhet të keni të ardhura prej së paku 800 deri 900 euro për familje apo person. Në ndërkohë, shumica e qytetarëve në Maqedoni jetojnë me kredi, jo vetëm për të mbuluar nevojat mujore, por edhe për blerjen e banesave. Këtë e tregon edhe dyfishimi i kredive banesore prej 264 milionë euro në vitin 2010 në mbi 510 milionë euro në vitin 2016, si dhe rritja mesatare e banesave të reja të përfunduara për mbi 3 për qind në periudhën 2002-2015. Qerimi, një kryefamiljar nga Shkupi, thotë se më mirë të blihet banesë me kredi, qoftë edhe me çmimin e gati dyfishit të kostos që do të paguhet brenda 30 vjetësh, se tërë jetën të paguan qira. Sipas tij, të hollat për qiranë me nga 200 euro në muaj për 30 vite paguhen 72 mijë euro për qira, ndërsa me ato të holla në fund të kthimit të borxhit ndaj bankës, ju jeni pronar i banesës suaj. Qytetarët e tjerë thonë se përkundër stresit të pagesës së rregullt për çdo muaj të këstit, kushteve jo fort të lehta të miratimit të kredisë, ia vlen të ndërmerret një hap i tillë.
“Nuk kishim alternativë tjetër për të blerë banesë, përveçse me kredi. Nëse prisnim të kursejmë para do të duhej të prisnim pensionimin që të kemi kulmin tonë mbi kokë. Andaj, me disa të holla që si ndihmë na i dhuruan prindërit, së bashku me disa të holla që i kishim kursyer, patëm mundësi që në bankë të kemi kushte më të volitshme për të marrë kredi që të zgjedhim çështjen jetësore të banimit“, thotë Artani nga Shkupi. Sipas tij, nuk do të jetë e lehtë në vitet e ardhshme që për çdo muaj të ndahen nga 12 mijë denarë për kthimin e kredisë, por së paku në vend që të punojmë për qiranë, tani punojmë për këstin mujor të kredisë dhe llogaritë e tjera.
Në ndërkohë, analizat tregojnë se rritja e kredive banesore i detyrohet bumit ndërtimor në Maqedoni, sidomos në Shkup. Njëherazi, me sigurimet e mëdha të kredive banesore që gati çdo herë janë hipotekare, bankat kanë edhe komoditet më të madh gjatë miratimit të kredive, ndërsa në kohën e fundit është ulur edhe lartësia e kamatave, edhe pse ato akoma janë të larta për xhepin e qytetarit mesatar të Maqedonisë. Analizat e Bankës Popullore të Maqedonisë tregojnë se kërkesa dhe oferta për banesa në Maqedoni është e lartë, ndërsa edhe kushtet e bankave për marrjen e kredive banesore janë relaksuar. Këtë e tregon edhe dyfishimi i kredive banesore prej 264 milionë euro në vitin 2010 në mbi 510 milionë euro në vitin 2016, si dhe rritja mesatare e banesave të reja të përfunduara për mbi tre për qind në periudhën 2002-2015. “Rritja e vazhdueshme e të ardhurave të popullatës dhe fuqisë për blerjen e patundshmërive, së bashku me stagnimin e çmimit në tregun e patundshmërive në periudhën e postkrizës, qasja e lehtësuar deri te kreditë si dhe raporti ndërmjet qirasë dhe çmimit që është afër një, por nuk ka dallim të madh midis marrjes së banesës me qira dhe blerjes së banesës. Gjithashtu pas vitit 2009, shkalla e rritjes së kredive banesore është më e lartë se shkalla e përgjithshme e kreditimit të popullatës. Nga ana tjetër, çmimet në Shkup në periudhën e paskrizës shënojnë stagnim për dallim prej vitit 2009, kur u shënua rritje prej 62 për qind”, tregon analiza e Bankës Popullore të Maqedonisë.
SHQETËSUESE KAMATAT
Përvojat e agjencive të patundshëmrive tregojnë se qytetarët që kanë para për pjesëmarrje në kredi me së paku 30 për qind të vlerës së banesës dhe kanë aftësi kredituese për të marrë dhe kthyer për çdo muaj këstin e kredisë, më së shpeshti edhe vendosin që të blejnë banesë. Nga ana tjetër, qytetarët që nuk kanë të holla as për pjesëmarrje në kredi, nuk kanë aftësi kredituese, nuk kanë zgjidhje tjetër, përveç të paguajnë banesë me qira. Qytetarët që orientohen të marrin kredi banesore, thonë se shqetësim të madh për harxhimet e tyre paraqesin kamatat që lëvizin prej 4 deri 6 për qind. Andaj, ekonomistët sugjerojnë që gjatë zgjedhjes së bankës, një kujdes i veçantë t’i kushtohet kamatës në vitet e para dhe në vitet e mbetura të pagesës së kredisë për të zgjedhur variantin më të volitshëm.
Konsumatorët në Maqedoni paguajnë tre herë më shtrenjtë kamatat e kredive banesore në raport me shtetet e Bashkimit Evropian. Edhe pse kamatat mesatare për kreditë banesore në Maqedoni shënojnë ulje në vitet e fundit si rrjedhojë e disponimit me më shumë para të bankave, konkurrencës të projektit “Blej shtëpi, blej banesë” dhe preferencës së bankave që më parë të kreditojnë qytetarët si borxhlinj më të sigurt në raport me firmat, megjithatë ato akoma janë të shtrenjta për xhepin mesatar të qytetarit në vend në raport me kamatat e njëjta në shtetet e Bashkimit Evropian. Në shtetet e eurozonës në mesatare përllogaritet kamatë banesore prej 2.06 për qind që është për tre herë më shumë se ajo në Maqedoni. Aktualisht ofertat e bankave të kredive banesore janë të larmishme duke filluar me shumën e pjesëmarrjes në totalin e kredisë, nivelin e kamatës fikse në tre apo pesë vitet e para të kthimit të kredisë që ofrohet me 2.9 për qind dhe prej 7.5 për qind të kamatës së ndryshueshme në vitet e tjera të kthimit të kredisë, marrjes së pagës në bankën konkrete etj. Kostoja varet edhe prej kohëzgjatjes së pagesës prej 10, 15 , 20 apo 30 vite të kredisë , a është banesa në ndërtim e sipër apo është e gatshme për banim, bashkëpunimit me kompanitë ndërtimore gjatë miratimit të kredisë, si dhe nivelit më të ulët të kredisë banesore nëse klienti në të njëjtën bankë merr sigurimin jetësor si sigurim të patundshëmrisë.
Shuma totale që në fund do të paguani për kredinë banesore varet prej më shumë faktorëve siç janë lartësia e këstit mujor, shumës së kredisë etj. Sa për ilustrim, përllogaritjet informative tregojnë se për një kredi prej 40.000 euro në fund, pas 30 vitesh do të ktheni afër 70 mijë euro vite ose huazimin do ta paguani 30 mijë euro, më shumë se shuma fillestare e kredisë. Analistët ekonomik kamatat e shtrenjta banesore i shpjegojnë me brishtësinë e situatës politike në Maqedoni që bankat e kalkulojnë si rrezik të punës, mos anëtarësimin e shtetit në NATO, vonesën e fillimit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian e kështu me radhë. Ekzistojnë edhe më shumë arsye tjera pse kamatat e kredive banesore, përkundër uljes së tyre në vitet e fundit, ato akoma janë të shtrenjta për xhepin e qytetarit mesatar në Maqedoni. Në radhë të parë, kjo ka të bëjë me kalkulimin e normave të interesit në vende të tilla me jostabilitet politik siç është Maqedonia, joefikasitetit të gjyqësorit, madhësisë së tregut, si dhe riskut më të lartë për sigurinë e kapitalit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara