Arsenali është në bisedime me Mesut Ozilin për ta larguar atë nga skuadra para se ish-reprezentuesit të Gjermanisë t’i skadojë kontrata në verë. Ozili i kaloi më shumë se shtatë vjet te Arsenali. Gjatë kësaj kohe, ai e ka ndihmuar klubin t’i fitojë katër trofe të Kupës FA. Organizatori i lojës ka shënuar 44 gola dhe ka dhuruar 77 asistime në 254 paraqitje me klubin.
Megjithatë, Ozili nuk është paraqitur me klubin që prej muajit mars të vitit të kaluar, ndërsa klubi synon largimin e 32-vjeçarit, që ka pagë 350 mijë funte në javë. Në rast se Ozili qëndron në klub deri sa t’i përfundojë kontrata, ai do t’i fitonte në total 7.2 milionë funte.
Mësohet po ashtu se ai e ka synim që t’i marrë të gjitha paratë që i takojnë. “Revolveristët” janë të vetëdijshëm për vendosmërinë e Ozilit, megjithatë, kërkojnë të arrijnë një kompromis. Fenerbahçe dhe disa klube nga liga amerikane e futbollit, MLS, përfshirë DC United, janë të interesuar për shërbimet e tij. Ozili iu bashkua Arsenalit nga Real Madridi në vitin 2013 për 42.5 milionë funte.