Pas Barcelonës, një tjetër skuadër vë në shënjestër Mesut Ozil. Bëhet fjalë për Manchester United, që kërkon të sjellë në “Old Trafford” një futbollist të karakteristikave të Ozil në merkaton e muajit janar.
Sipas të përditshmes britanike “Telegraph”, ishte pikërisht trajneri i “Djajve të Kuq”, Jose Mourinho ai që e ka kërkuar shërbimin e Mesut Ozil, kontrata e të cilit skadon në fund të këtij sezoni, me futbollistin që nuk e ka rinovuar atë, pavarësisht apelit të bërë nga trajneri Wenger.
Mourinho, i cili ka punuar me Ozil edhe te Reali i Madridit, shpeshherë e ka përkufizuar mesfushorin gjerman si Nr.10 më të mirë në botë dhe tani ai kërkon ta ketë sërish nën urdhrat e tij që në muajin janar. Por, drejtuesit e Manchester United kanë një tjetër ide, ata preferojnë që të presin fundin e sezonit për të mos paguar 20-25 milionë paundë për kartonin e tij dhe ta marrin atë falas, edhe pse janë të ndërgjegjshëm për problemet që do t’u hapë trajneri Wenger, me francezin që nuk dëshiron të përforcojë një skuadër rivale.