Trajneri Arsen Venger pranon se do të jetë shumë e vështirë të mbajë sezonin e ardhshëm Aleksis Sançez dhe Mesut Ozil, kontrata e të cilëve skadon në qershorin e ardhshëm. Niveli i dy lojtarëve ka ardhur në rritje pas një fillim-sezoni jo të mirë dhe me dëmtime, por kualiteti i tyre u duk dje në fitoren 2-0 që Arsenal arriti ndaj Totenhem. Ndaj Venger premton se do të bëjë maksimumin që t’i mbajë ata edhe sezonin tjetër, por ka pranuar se edhe klubi duhet të dëgjojë kërkesat financiare të dy futbollistëve.
“Unë jam i bindur se ata e duan këtë klub dhe këtë skuadër, por vetëm kaq nuk mjafton. Pjesa tjetër, për sa i përket të ardhmes së tyre është ende për t’u vendosur. Kur? Këtë nuk e di. E rëndësishme është që klubi të kuptojë se kontrata e tyre e re duhet të jetë e njëjtë me ato që ofrojnë rivalët tanë nëse duam t’i mbajmë këtu edhe sezonin tjetër. Ne duhet të bëjmë gjërat ashtu si duhet në mënyrë që Sançez dhe Ozil të jenë të lumtur këtu tek Arsenali”, u shpreh Arsen Venger pas fitores ndaj Totenhem.