E ardhmja e Mesut Ozil tek Arsenali duket gjithnjë e më e paqartë. Minutat e pakta që fantazisti turko-gjerman ka patur në dispozicion që prej uljes në stolin e “Topçinjve” të Unai Emery, duket se janë një tregues i qartë se aventurës së tij në “Emirates” i ka ardhur fundit.
Për këtë, edhe gjatë merkatos së verës që sapo kaloi, Ozil u përfol shpeshherë si një nga lojtarët që do të largohej, por diçka e tillë nuk ndodhi, ndoshta edhe për faktin e mungesës së ndonjë oferte interesante.
Edhe pse sezoni ka nisur dhe merkatoja rezulton e mbyllur, sërish klubet e interesuara për 30-vjeçarin nuk po qëndrojnë duarkryq. Një prej tyre është pikërisht Fenerbahce. Drejtuesit e klubit turk kanë kontaktuar me ata të Arsenalit për të gjetur një akord, në mënyrë që të transferojnë Ozil me hapjen e merkatos së janarit.
Synimi është që të arrihet një marrëveshje për huazimin e mesfushorit, me Arsenalin që është gati të paguajë një pjesë të rrogës së Ozilit, pasi shifra që ai përfiton vështirë se do të përballohej nga arkat e klubit turk.