Gostivar, 21 dhjetor – Sezoni i ngrohjes dhe pakujdesia e mjaftueshme po sjellin rastet e para të zjarreve nëpër objekte. Në 30 ditët e fundit në Gostivar dhe rrethinë kanë ndodhur 30 zjarre, shkruan gazeta KOHA. Numri i tyre është rritur me nisjen e sezonit të ngrohjes, thonë nga Njësia Territoriale kundër Zjarreve në Gostivar. Nga kjo njësi thonë se intervenime ka pasur kryesisht në objekte. Tome Vasilevski – komandantë i NJTKZ në Gostivar, thotë se gjatë nëntorit dhe dhjetorit të këtij viti zjarrfikësit e Gostivarit kanë intervenuar në më shumë raste. “Prej tyre, kemi pasur katër intervenime zjarresh në objekte, 13 intervenime në oxhaqe, vende të hapura 9 intervenime, dy intervenime mbi automjete dhe dy intervenime në trafostacione”, shprehet ai, duke sqaruar se oxhaqet e papastruara kanë qenë shkak më i shpeshtë i zjarreve që kanë ndodhur ditëve të fundit. Sipas tij faji mbetet te qytetarët, të cilët nuk i pastrojnë në kohë ato, sidomos nëpër banesat kolektive. “Mund të konstatojmë se pjesa më e madhe e zjarreve ka ndodhur në oxhaqe dhe në mungesë të ndërtimeve konstruktive të kulmeve, ato nga ndezja e oxhaqeve sjellin edhe ndezjen e kulmit. Nga ana tjetër oxhaqet nuk pastrohen rregullisht te ne, ato duhet pastruar të paktën dy herë në vit që mos vijë deri te vetëndezja e tyre. Po ashtu nga moskujdesi me nxehjen, gjegjësisht nga rryma, vjen deri te shpërthimi i zjarreve”, shprehet ai. Në shumicën e rasteve, për shkak të kushteve të volitshme financiare, qytetarët vendosin që të përdorin drurin si mjet për ngrohje. Por edhe për këtë formë të ngrohjes ka rregulla ligjore, kur flitet për pastrimin e oxhaqeve, të cilat gjatë stinës së dimrit llogariten si gjeneratori kryesor i shkaktimit të zjarreve në mjediset e mbyllura. Sipas rregullave ligjore, oxhaqet e firmave duhet të pastrohen një herë në muaj brenda sezonit të ngrohjes dhe njëherë jashtë kësaj periudhe vjetore, që do të thotë gjashtë herë brenda një viti kalendarik. Zjarrfikësit e Gostivarit apelojnë popullatën që pos pastrimit të rregullt të oxhaqeve, të kenë kujdes maksimal edhe me nxehjen, sidomos me rrymën elektrike, rrjeti nuk guxon assesi të mbingarkohet, kujtojnë zjarrfikësit. “Apeli im deri te qytetarët do të ishte që para se të fillojë sezoni ngrohjes, të pastrohen oxhaqet, të kihet kujdes me kabllot elektrikë, aparatet e ndryshme që përdoren për ngrohje të mos ndizen edhe atëherë kur ne nuk jemi në shtëpi”, vijon tutje ai. Sikur njësinë kundër zjarreve në Gostivar edhe policia, po ashtu kanë apeluar qytetarët që mos e ngarkojnë rrjetin elektrik me kyçje të njëhershme të shumë aparateve në shtëpi pasi mund të vijë deri në shpërthim të zjarrit. Edhe vozitësit apelohen që të bëjnë kontrolle të rregullta të automjeteve, sidomos pajisjeve për ftohje në mjetet e tyre. Në të kundërtën do vijojë gjobitja, thonë uniformat blu, sipas të cilëve, të gjithë ata qytetarë që me ose pa qëllim do shkaktojnë apo do ndezin zjarre do ballafaqohen edhe me masën ligjore burg nga 6 muaj deri në 8 vjet, varësisht nga lloji i zjarrit dhe rrezikut të shkaktuar. (D.Z)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.