Michael Owen vazhdon të tërheqë vëmendjen e publikut me qëndrimet e tij në librin “Reboot”, që po publikohet pjesë-pjesë nga “Mirror”. 39-vjeçari ka sulmuar ashpër trajnerin italian, Fabio Capello, të cilin e akuzon se i shkatërroi karrierën kur mori drejtimin e Anglisë në vitin 2008.
“Fabio mendonte se duhej të ndryshonte diçka në përfaqësuesen e Anglisë dhe na doli problemi isha unë, Michael Owen. Jo vetëm që ma shkurtoi karrierën ndërkombëtare, që e kisha të fituar me shumë vështirësi, pa më dhënë asnjë shpjegim, por ai gjithashtu vazhdoi të ishte një nga trajnerët më pak efektivë që ka patur Anglia.”
Etiketimi që Owen i bën Capellos, është vërtet i rëndë.
“Ai ishte absolutisht një plehrë. Sipas mendimit tim, Fabio Capello shkaktoi dëme katastrofike si në karrierën time, ashtu edhe në futbollin anglez, në përgjithësi, dhe u pagua shtrenjtë për ta bërë këtë.”
Owen shënoi 40 gola në 89 paraqitje gjatë karrierës së tij me “Tre Luanët”. Ai u tërhoq nga kombëtarja 4 muaj pas emërimit të italianit. Capello u largua në vitin 2012 pasi kundërshtoi vendimin e FA për t’i hequr shiritin e kapitenit e John Terry, pasi kishte përfunduar një fushatë kualifikuese të pamposhtur për Euro 2012.