Mes shumë emrave të piktorëve të huaj që kanë trajtuar tematikën shqiptare, vend të veçantë zë edhe një çek. Fjala është për piktorin Otokar Cila, dekoruesin e Parlamentit Shqiptar të viteve 20. I lindur në vitin 1894 në Novo Paka, Bohemi, që prej 1913 ai kishte nisur studimet në Akademinë e arteve figurative ne Pragë, të cilat për shkak të situatës së asaj kohe i ndërpret disa herë për tu diplomuar në vitin 1925.
Menjëherë pas diplomimit, piktori ka fituar një bursë të dhënë nga Qeveria e Shqipërisë e asaj kohe, pas një konkursi ndërkombëtar ku kërkohej një piktor që do të realizonte portretin e presidentit Ahmet Zogu dhe portretet e disa figurave të tjera të larta shtetërore. Vjen në Shqipëri në vitin 1926 dhe vendoset në Tiranë ku jeton për disa muaj. Gjatë qëndrimit në Shqipëri Otakar Cila dekoron muret e Parlamentit të Shqipërisë të asaj kohe me kuadro nga jeta e vendit.
Për të realizuar këtë punë, ai udhëton nëpër Shqipëri dhe eksploron motivet e jetës shqiptare. Në punimet e tij ai sjell peizazhe të natyrës shqiptare, portrete banorësh të veshur me kostume popullore, dhe tablo nga jeta e përditshme e shqiptarëve.
Pasi përfundon detyrën në Shqipëri, ai kthehet në vendin e tij ku vijon të spikasë si piktor i portreteve të personaliteteve të kohës, piktor dhe krijuesi i hartës së pullave çeke, tablove nga gjuetia, por në të njëjtën kohë është edhe një qytetar i angazhuar dhe i njohur si nacionalist çek.
Kjo i kushton shtrenjtë. Pas vendosjes së komunizmit në vendin e tij, në vitin 1948, arrestohet dhe dënohet me 20 vjet burg politik. Edhe në burg, vazhdon pikturën. Del nga burgu më 1958 dhe vijon të pikturojë deri më 1971 kur daton edhe tabloja e tij e fundit. Gjendja e tij shëndetësore nuk e lejoi më tej të pikturojë dhe pas një sëmundjeje të rëndë ndërron jetë më 28 mars 1977. Ka të ngjarë që prej faktit se ishte i burgosur politik nga sistemi komunist çekosllovak, ai të mos jetë përmendur më në Shqipërinë e asaj kohe dhe vepra e tij, ndonëse me penelata dashurie për Shqipërinë e shqiptarët ka mbetur pothuajse e panjohur.
OTOKAR CILA, çeku që pikturoi Shqipërinë e viteve ‘20
Leave a comment