Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk dhe ai britanik Tony Bellew kanë dalë sot “face to face” në prag të duelit që do të zhvillojnë më 10 nëntor në Manchester, sfidë e vlefshme për titujt kampionë bote të peshës “cruiserweight”, që mbahen nga ukrainasi. Asnjë incident apo konflikt gjatë këtij takimi të zhvilluar 24 orë para duelit, por e veçanta është se të dy sportistët kanë dalë të maskuar në skenë pas peshimit. Nëse Bellew e kishte bërë edhe më parë këtë gjë, kjo ishte hera e parë që ukrainasi dilte në skenë para një rivali “i maskuar”. Madje duke mbajtur në fytyrë shallin e Manchester City.
Ata shkëmbyen edhe disa fjalë në momentin që ishin “face to face” e më pas i dhanë dorën njëri-tjetrit, duke lënë kështu “takim” për në ring më 10 nëntor, në një sfidë që parashikohet e fortë dhe emocionuese. “Ndihëm në formë, jam gati për luftë. Kur ishim “face to face” m’u duke vetja sikur ishim dy maniakë që shiheshim para pasqyrës, të dy të maskuar”, tha Bellew, që synon t’i rrëmbejë ukrainasit titujt kampionë bote.
Për sa i përket peshimit, të dy boksierët ishin thuajse në të njëjtën peshë, me britanikun që peshonte 1kg më shumë se Usyk. Bellew, 30 fitore, 2 humbje e 1 duel pa rezultat, është një ish-kampion bote në peshën “cruiserweight”, Divizion ku u largua për të shkuar në peshën e rëndë, ku mposhti dy herë David Haye. Ndërsa 31-vjeçarik Usyk është i pamposhtur në karrierën e tij, me 15 fitore e asnjë humbje.