Të gjithë e mbajnë mend sulmuesin italian Daniel Osvaldo, i cili i dha fund karrierës si futbollist në moshën 30-vjeçare, pasi kishte veshur fanellat e Bolognës, Romës, Interit dhe Juventusit. Tani Osvaldo i është përkushtuar pasionit të tij, muzikës dhe ka një grup rroku të tijin, me të cilin po bën ture koncertesh në për botë, ndërsa nga Barcelona ka treguar edhe arsyet pse hoqi dorë nga futbolli.
“Futbolli është një lojë e përbërë nga shumë rregulla dhe unë nuk isha një njeri i prirur për t’i zbatuar. Nëse shënon gola, në futboll je zot, por në të kundërt je një “copë m…”. Shumë mendojnë se u largova shpejt, por unë vendosa ta lë futbollin, pasi po çmendesha. Megjithatë, mund të them se jam krenar për karrierën time”, deklaroi Osvaldo.
Ish sulmuesi tregoi se muzika është pasion i tij, ndërsa pranoi se tashmë ka më shumë kohë të lirë, ka më pak rregulla për të ndjekur dhe mbi të gjitha, argëtohet shumë më tepër me atë që bën. “Të gjithë mendojnë se unë jam një i çmendur, që lashë futbollin për muzikën. E vërteta është se unë këtu ndihem mirë, kam më shumë kohë të lirë, nuk jetoj me rregulla strikte dhe mbi të gjitha argëtohem me punën time, pa u interesuar shumë se çfarë mendojnë të tjerët”, tha ish futbollisti italian për britaniken “The Sun”.