Ostersunds skuadër e vogël, por me ambicie të mëdha. Kjo është historia e një klubi të vogël suedez, që arriti të siguronte pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Europa League me një mision të qartë, të pamundurën ta bësh të mundur. Presidenti i tyre, Daniel Kindberg i ka idetë e qarta kur flet për të ardhmen e skuadrës së tij. Ai shprehet se momentalisht ata kanë një bilanc prej 5.5 milionë Eurosh në sezon, kur kjo shumë të arrijë në 6.5 Ostersunds do të fitojë kampionatin. Kindberg shkon edhe më tej më planet e tij afatgjata teksa deklaron se në momentin që në ekipi do të ketë një bilanc vjetor prej 50 milionë Eurosh në sezon është mëse i bindur se do të fitohet trofeu i Champions League. Ostersunds e nisi mirë debutimin e tyre europian, teksa arritën të fitonin në transfertën kundër Zorya-2-0.
Përpara se të mbirrinën në këtë fazë, ata ia dolën të linin jashtë Europa League në fazën e Play Off-it, grekët e Paok. Klubi Suedez me mënyrën se si e ka nisur duket se nuk ka aspak ndërmend të vendosi vetes limite, përkundrazi, po i jep një leksion të pastër botës së futbollit që edhe pa shumë para në dispozicion, vullneti dhe përkushtimi sjell frytet e veta. Tingëllon si dicka utopike teksa sheh që një klub kaq i vogël, me një buxhet prej 300 mijë eurosh ka arritur të korë jo pak sukses. Presidenti Kinderberg e mori skuadrën në drejtim prej vitit 2010, në atë kohë Ostersund luante në kategorinë e katërt, kur ekipi kishte në dispozicion vetëm 2 lojtarë.
Sot ata kanë një stadium të ri me kapacitet 9 mijë vëndesh dhe me barë artificial. Trajneri i tyre Graham Potter i ka dhënë një tjetër imazh ekipit, duke i ndryshuar filozofi dhe mënyrën e lojës. Presidenti i tyre Kinderberg, një ish-gjeneral në luftën e Bosnjes dhe atë të Kongos në vitet 90 dhe 2000, si një ish-ushtarak, kur e pyetën se nëse e di se cfarë diference ka skuadra e tij me të tjerë rivalë, ai deklaronte se nuk është e rëndësishme ta dish, por të besosh. Një tjetër element i vecantë i kësaj skuadrë është edhe tekniku Potter. Një personazh i diplomuar në Univeristetin e Leedsit, në degën e lidershipit dhe inteligjencës. Jo thjesht një trajner, por një personazh i cili di shumë mirë se si duhet menaxhuar një ekip për ta rilindur atë. Ostersunds sapo ka nisur ta jetojë ëndrrën, ku sigurisht e ardhmja ndoshta ka rezervuar dicka akoma më të madhe dhe më të vecant për ta.