Shkup, 23 tetor – Komisioni i përbashkët për çështje historike dhe arsimore mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë duhet të mbajë takim edhe para dhjetorit me çka do të kompensojë atë që gjatë zgjedhjeve e kanë humbur si moment dhe nga pandemia, ka thënë sonte ministri për Punë të Jashtme, Bujar Osmani në intervistën për TV Kanal 5. Ai tha se edhe më parë dhe tani insiston që në Komision të ketë edhe anëtar shqiptar, pasi sipas tij kjo është betejë e përbashkët dhe se angazhimi i përbashkët për këtë çështje do ta në afrojë shumë.
“Këtu është mundësia të krijohet afërsi, por edhe të lihet trashëgimi se shqiptarët kanë qenë faktor i rëndësishëm kur janë zgjidhur disa çështje të rëndësishme. Kuptohet se punoj në këtë dhe së shpejti do të ketë zgjidhje dhe kuptohet se unë i shoh gjërat dhe e përcaktoj momentin kur është më mirë të bëhet që të mos dëmtohet procesi”, tha Osmani.
Sipas tij, Komisioni është instrument për zgjidhjen e problemit me Bullgarinë dhe se ajo që do të dalë prej saj është zgjidhje më e qëndrueshme.
“Teorikisht mund që politikanët të gjejnë zgjidhje, por sa ato janë të qëndrueshme. Sepse gjithmonë do të shihen nga konteksti politik, se kanë qenë zgjidhje politike dhe nuk kanë qenë në njohuri dhe zgjidhje shkencore dhe nesër çdokush mund t’i kontestojë ato zgjidhje. Dhe prandaj konsideroj se më e qëndrueshme, zgjidhje më të fuqishme do të jenë ato që historianët pa ndikimin e politikanëve do t’i sjellin si konkluzione”, tha Osmani.
Lidhur me deklaratën e liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski se veçmë ka marrëveshje të ngjashme me atë të Prespës e cila parashikon ndryshime kushtetuese, ministri Osmani ka thënë se menjëherë ka reaguar ndaj asaj deklarate.
“Unë thashë se ekzistojnë një pako idesh nga njëra palë dhe nga tjetra, nga të gjithë të involvuarit në proces se si të tejkalohen së pari dallimet në pritshmëritë. Së pari, a ka dinamikë të implementimit, a mund të bëhet diçka më shpejt, cila ka qenë ajo dinamikë, çfarë mund të përshpejtojë procesin, disa dilema shtesë që lindën ndërkohë, ndërsa nuk janë pjesë e Marrëveshjes siç është për shembull- dallimet lidhur me emrin e ri të shkurtër të vendit, lidhur me rezolutat e Këshillit të Evropës”, shpjegoi Osmani.
Lidhur me takimin e 10 nëntorit në Sofje dhe nëse ekziston mundësi për takim më herët nga Procesi i Berlinit, Osmani tha se çështja nëse do të ketë takim paraprak varet nga shumë faktorë, përfshirë edhe bisedimet që i zhvillojnë në baza ditore.
“Ne komunikojmë, unë komunikoj me kolegen Zaharieva, por komunikojnë edhe dy ministritë në baza ditore lidhur me këto dallime”, tha mes tjerash ministri, Bujar Osmani.