Shkup, 26 mars – Maqedonia e Veriut është e gatshme sot të fillojë me negociatat, dhe në këtë pjesë janë përmbushur të gjitha kushtet. Megjithatë, ka shumë momente të paparashikueshme prej tani e deri në qershor. Pjesërisht janë të brendshme pjesërisht janë rajonale, dhe kjo më shumë në kuadër të kontekstit evropian dhe si do të zhvillohet zgjedhjet atje.
Këtë sot e deklaroi zëvendëskryeministri i Çështjeve Evropiane Bujar Osmani, pas takimit në Agjencinë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve nëse do të ketë takime me VMRO-DPMNE dhe Bashkësinë Fetare Islame, si pjesë e rekomandimeve të Brukselit se zgjedhjet presidenciale janë kyçe për eurointegrimet dhe bojkoti eventual mund ta rrezikojë fillimin e negociatave.
“Zgjedhjet këtu do të jenë parametër i rëndësishëm që të përcaktohet pjekuria e institucioneve nëse janë të gatshme të fillojnë negociatat dhe nëse janë të gatshme të ballafaqohen me sfidën e anëtarësimit në BE, dhe për këtë e përsërita qëndrimin se më pak e rëndësishme do të jetë kush por çfarë zgjedhje do të kemi. Këtu nuk duhet të ketë hapësirë për gabime posaçërisht në periudhën para qershorit”, nënvizoi Osmani.
Potencoi se në agjendën e takimeve institucionale planifikon të takohet edhe me VMRO-DPMNE si parti më e madhe politike opozitare.
“Me bashkësitë fetare duhet më me kujdes të sillemi për shkak parimit të raportit të Qeverisë me bashkësitë fetare, por vlerësoj se edhe kjo është ide e mirë në kontekst të zgjedhjeve të realizohet takim edhe me ato”, përmendi Osmani.
Osmani lidhur me ligjin për regjistrim, tha se dje në Qeveri i kanë harmonizuar parimet themelore për regjistrimin që do të mbahet në mars të vitit 2020.
“Presim kjo të kalojë sot në Qeveri, sepse do të duhen edhe disa hollësi teknike në vetë seancën të harmonizohen por vlerësojë, se do të arrijmë sot ta miratojmë ligjin në seancë qeveritare”, tha Osmani.
Lidhur me atë nëse në seancën e caktuar për nesër në Kuvend, do të ketë 61 deputet që sërish të votohen ligjet që presidenti Gjorge Ivanov nuk i ka nënshkruar, Osmani tha se kryetari i Kuvendit me siguri e ka parashikuar këtë moment dhe i ka informuar partitë politike se nuk do të ketë mundësi tjetër, sepse prej 1 prillit Kuvendi nuk do të mbajë seanca.
“Edhe pse nuk ka pengesë ligjore për mbajtje të seancave në vijim të fushatës, por kjo më shumë është vullneti i deputetëve të mos ketë seanca në këtë periudhë, që të mos keqpërdoret foltorja në funksion të fushatës zgjedhore. Por nëse paraqitet nevoja apo marrëveshja për çfarëdo zgjidhje ligjore, apo nëse nuk arrihet numri nesër, mendoj se nuk ka pengesë ligjore Kuvendi të mbajë seanca edhe gjatë fushatës”, vlerësoi zëvendëskryeministri.