Shkup, 20 mars – Marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Ukrainës janë të mira, dy vendet njëra-tjetrën e shohin si mik të sinqertë, që kanë aspirata të përbashkëta euro- atlantike, u dakorduan në takimin e sotëm zëvendëskryetari i Qeverisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani me Ambasadoren e Ukrainës në vendin tonë, Natalija Zadorozhnjuk.
Siç njofton SÇE, lidhur me perspektivat evropiane, zëvendëskryeministri Osmani potencoi se Qeveria mbetet e përkushtuar në Agjendën evropiane dhe se me përkushtim punon në reforma, me qëllim të shfrytëzimit të valës së re pozitive të BE-së në favor të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Në drejtim të marrëdhënieve pozitive të ndërsjella, Osmani potencoi se Maqedonia i qëndron në dispozicion Ukrainës për shpërndarjen e përvojës sonë shumëvjeçare në Procesin për stabilizim dhe asocim”, citohet në kumtesë.
Gjatë bisedës bashkëbiseduesit bashkërisht u zotuan për avancimin veçanërisht të bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimit tregtar dhe vëllimit të investimeve, duke pasur parasysh se shkëmbimi i tanishëm është larg nga potencialet e bashkëpunimit ekonomik të dy vendeve, citohet në kumtesë.