Shkup, 5 nëntor – Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, sot vizitoi hapësirat e reja të Ambasadës së Sllovenisë në vend, ku edhe mbajti takim me Ambasadorin Milan Jazbec.
Osmani uroi Ambasadorin Jazbec për hapjen e hapësirave më të mëdha të ambasadës, për të cilat, siç theksoi, pasqyrojnë edhe progresin e miqësisë mes dy vendeve.
Gjatë takimit, kumtoi sot kabineti i Osmanit, dy bashkëbiseduesit iu referuan aktualiteteve më të reja politike, marrëdhëniet me Greqinë, procesit të implementimit të Marrëveshjes së Prespës, për rrjedhën e implementimit të reformave të Planit 18, si dhe për gjitha aktivitetet tjera lidhur me procesin për integrimin euro- atlantik të vendit.
“Maqedonia gjendet në periudhën e skriningut shpjegues, me të cilën struktura negociuese përgatitet për fillimin e negociatave në qershor të vitit të ardhshëm”, theksoi Osmani, duke përmendur përvojën Sllovene si model për avancimin e procesit të koordinimit të negociatave, si dhe përpunimin e planeve vepruese, mekanizmave dhe indikatorëve për ndjekje, si dhe të gjitha njohuritë dhe përvojat e përfituara për procesin e negociatave.
Procesin e parë të tuiningut në Sekretariatin për Çështje Evropiane e bëri Sllovenia që nga viti 2004, me të cilin vendi u ndërtua në mënyrë të pakthyeshme në ndërtimin dhe suksesin e këtij institucioni, tha Osmani, duke potencuar se Maqedonia nga Sllovenia ka shumë për të mësuar, në veçanti në aspektin e suksesit të modelit të realizimit të qëllimeve strategjike – anëtarësimi në NATO dhe BE.
Gjatë takimit dy bashkëbiseduesit ranë dakord se marrëdhëniet shumë dekadëshe të mirëkuptimit dhe miqësisë mes dy vendeve dhe relacionet e afërta mes qytetarëve tanë, paraqesin kapital dhe investim të madh në të ardhmen. Në këtë kontekst Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e deritanishme të qartë dhe të fuqishme të cilën Republika e Sllovenisë jep lidhur me proceset e integrimit euro- atlantik për vendin tonë.