Zëvendëskryeministri Bujar Osmani i kërkoi sot presidentit Gjorge Ivanov të jetë konstruktiv dhe të bashkohet në procesin për të ardhmen evropiane të Maqedonisë dhe i bëri thirrje opozitës, siç tha, të tregojë se në cilën anë është në këto momente historike.
Osmani në një konferencë shtypi në SÇE tha se ka qenë dy herë tek Ivanovi në bisedime, por se shefi i shtetit nuk iu përgjigj thirrjeve të Qeverisë dhe SÇE-së për konstruktivitet.
“Sipas rendit kushtetues, Republika e Maqedonisë është një demokraci parlamentare në të cilën fjalën e fundit dhe veçanërisht miratimin e ligjeve e ka Kuvendi, ndërsa Presidenti është vetëm një pjesë e vogël e pushtetit ekzekutiv që nuk ka asnjë lloj ndikimi të mundshëm mbi rolin e Parlamentit, dhe kurrsesi të jetë fjala e fundit për marrjen e vendimeve të tilla. Veprimet e Ivanovit janë në një farë mënyre një përpjekje për të ndryshuar sistemin pa ndryshime kushtetuese, që dënohet me ligj”, tha Osmani.
Zëvendëskryeministri në takimet në Bruksel në ditët e kaluara, siç tha ai, nuk pati përshtypjen se udhëheqësit evropianë ishin të shqetësuar se Ivanovi mund të pengonte këtë proces historik.
“Nuk mora një përshtypje në BE dhe në Bruksel se ekziston një shqetësim më i madh, sepse askush nuk do të jetë në gjendje ta ndalë këtë proces historik përmes të cilit kalon shteti dhe rajoni dhe më së paku zoti Ivanov”, tha Osmani.
Duke qenë i vetëdijshëm për vitin historik të Maqedonisë, ai tha se personalisht dy herë ka qenë tek Ivanovi dhe ka kërkuar, siç tha “secili të kalojë pjesën e vet të rrugës”.
“Le të takohemi diku në mes të këtij viti, pastaj do t’i zhbllokojmë dallimet tona dhe do të bëjmë beteja politike. Këtë vit nuk duhet të kemi llogaritje partiake. Megjithatë, zoti Ivanov nuk iu përgjigj konstruktivisht thirrjeve tona si të SÇE-së dhe të BDI-së ashtu edhe të Qeverisë në përgjithësi. Mbetet thirrja që të jetë konstruktiv në këto muaj të rëndësishëm. Personalisht, nëse më pyesni, nuk pres ndonjë konstruktivitet”, tha Osmani.
Për opozitën tha se tani është koha që të thotë se në cilën anë është në këto momente historike që e përcaktojnë të ardhmen e vendit.
“Përcaktimi strategjik i partive opozitare është edhe anëtarësimi në NATO dhe BE. Vullneti konsensual i qytetarëve, përfshirë elektoratin e opozitës, është anëtarësimi në BE dhe NATO dhe prandaj është koha që opozita të zgjidhë të gjitha dilemat që ka në drejtim të orientimit dhe publikisht të komunikojë publikun. Ne jemi të hapur për politikat publike dhe të përbashkëta kur bëhet fjalë për këto përcaktime strategjike të qytetarëve”, tha Osmani.
Ai është optimist se referendumi dhe ndryshimet kushtetuese do të përfundojnë deri në fund të vitit.
“Unë nuk pres që opozita në këto momente historikisht të rëndësishme do të dalë kundër vullnetit dhe vendosmërisë strategjike të qytetarëve për NATO-n dhe BE-në”, tha Osmani, i cili nuk u përgjigj se çfarë do të ndodhte nëse kjo dështon. Ai ishte decid se mendon që askush nuk do të ndalojë vullnetin e 80 për qind të qytetarëve që janë për anëtarësim në BE dhe në NATO.