Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës, në emisionin DESKU të KTV-së, tha se nuk do të largohet nga LDK-ja, edhe pas zhvillimeve të fundit në parti pas situatës me mocionin e mosbesimit.
Ajo tha se për humbjen potenciale të votave nga LDK-ja si pasojë e mocionit, partia është dashur ta mendojë këtë çështje para mocionit.
“Pas pandemisë, duhet të dilet dhe të kërkohet besimi i zgjedhësve. Unë s’do të isha në krye të një liste që një ekip merr besimin qytetar, dhe një tjetër ekip vendos. Vetëm kur ekipi është i njëjtë, atëherë garoj. Unë s’do ta përsëris gabimin e njëjtë. Kam hyrë në garë zgjedhore me besimin e plotë se kur ne dalim para qytetarëve dhe ua japim atyre besën se s’do të përzihemi me njerëz që e kanë katandisur vendin deri në këtë masë. Që ne do ta mbajmë fjalën… Unë vërtet kam besuar kështu. Tani, si ka rrjedhur situata, nëse pas pak muajsh mbahen zgjedhjet dhe e kemi një ekip tjetër në vijë të frontit për të marrë besimin, dhe një ekip tjetër që fare nuk del para qytetarëve, por pastaj dëshiron ta devijojë atë vullnet, natyrisht se nuk pranoj. Por kjo s’më shkëput nga LDK-ja. Por beteja për ta bërë ekipin e njëjtë tani është edhe më e ashpër”, u shpreh nënkryetarja e LDK-së.
Ajo tha se LDK-ja ka nevojë që ta ketë lidhjen të cilën e ka mbajtur gjallë më të fortë se kurrë, e ajo është lidhja mes strukturës dhe elektoratit të saj.
“Asnjë parti s’mund të mbijetojë nëse ua kthen shpinën qytetarëve. Unë mendoj që është devijim i vullnetit të qytetarëve që kanë votuar më 6 tetor nëse ne e përkrahim një projekt tjetër. Ndryshimin në LDK s’e lidhi me një emër, por me konceptin politik që mbizotëron. Për mua gjithnjë koncepti politik që është dashur të mbizotërojë ka qenë vënia e interesit qytetar para të gjithëve. Mua më intereson në aspektin afatgjatë, si të jetë një LDK që mbron vullnetin e qytetarëve, që s’heziton të kundërshtojë njerëz që e qesin në tavolinë sovranitetin dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, ky është interesi afatgjatë i Kosovës, e jo kush është ministër sot. Këto janë kozmetikë për mua, sepse kur u bë koalicioni LDK-PDK, edhe atëherë më thoshin ti nuk përfaqëson asgjë, mirëpo në zgjedhjet e fundit, të gjithë e të bashkuar, dolëm me një projekt politik që u rrëzua me 25 mars. Unë po flas për LDK-në, jo për ministrat e LVV-së, i rrëzuam ministrat më të mirë që i ka pasur LDK-ja që nga paslufta. Më vjen mirë që krejt çka prezantuam në fushatën e LDK-së, u pranua edhe nga partneri ynë qeverisës. Nuk kam parë arsye pastaj që ato të ndryshojnë. Edhe ajo çka na pret neve është një bashkëpunim me njerëzit brenda LDK-së që mendojnë si unë, që kanë konceptin time, dhe që urgjentisht këtë koncept ta bëjmë mbizotërues edhe në struktura të LDK-së, sepse tek qytetarët tashmë është”, theksoi Osmani në këtë intervistë.
Ajo tha se qeveria aktuale ka bërë punë shumë të mirë në shumë sfera, nga menaxhimi i pandemisë, pastaj në fushën e parandalimit të aferave korruptive, sidomos në ministrinë e Infrastrukturës, tek anulimi i kontratave. Por, pas mocionit, Osmani tha se qeveria po merret kryesisht me pandeminë.
Tutje, ajo kritikoi emërimin e personave partiakë të LVV-së nëpër bordet e ndërmarrjeve publike.
“Unë e kam parë të panevojshme për emërimin e 4-5 emrave partiakë në borde. Ajo që më ka ardhur mirë është që qytetarët në masë të madhe, edhe votuesit e VV-së, kanë treguar gatishmëri të flasin për një fenomen të tillë. S’e di pse e kanë marrë atë vendim, por e di që ka qenë i evitueshëm. Kemi folur gjatë për depolitizimin e bordeve. Shkarkimi i bordeve ka qenë pjesë e programit që e kam prezantuar edhe unë. Ka qenë premtim yni. Kur ekipit tonë na është bërë pyetja se cili do të jetë vendimi i parë i qeverisë, përgjigja ka qenë shkarkimi i bordeve me performancë negative. E kuptoj që ka kritika për emërimin e njerëzve me librezë të një partie politike, por assesi për shkarkimin e bordeve me performancë negative”, theksoi Osmani në emisionin DESKU të KTV-së.
Osmani: S’hyj në listë të LDK-së nëse në zgjedhje partia ime kërkon koalicion me partitë zhvatëse
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh nënkryetare e LDK-së, ka thënë se nuk do të hynte në listën garuese me LDK-në, nëse kjo parti do të kërkonte të bënte koalicion me partitë e PAN-it.
Në emisionin DESKU të KTV-së, Osmani ishte e prerë se vijat e kuqe i ka për të gjitha partitë që e kanë zhvatur Kosovën.
“Nëse dëshironi të kërkoni besimin për të hyrë në koalicion me parti që e kanë zhvatur Kosovën, unë nuk i hyjë asaj liste. Por ju dilni dhe matuni para qytetarëve sepse s’mund të fshiheni më prapa meje”, theksoi Osmani.
Vjosa Osmani, nënkryetare e LDK-së, tha se ngutia e partisë së saj për të proceduar me mocionin e mosbesimit të Qeverisë nuk mund të arsyetohet me dialogun si argument.
Ajo tha se tarifa tashmë nuk ekziston, por ka trajtim të barabartë në aspektin tregtar mes Kosovës dhe Serbisë.
Për këtë pikë, Osmani, në emisionin DESKU të KTV-së, tha se është dashur të jetë zë i përbashkët i partnerëve qeveritarë.
“Kur ne dhe VV ishim bashkë në opozitë, dhe kur i dërgonim bashkë letrat, kishin më shumë efekt. Jam në kontakt të vazhdueshëm me Francën dhe Gjermaninë. U bë thirrja nga shtetet e BE-së që të mbahet qeveria funksionale. Por, çka ndodhi më vonë, ishte një keqpërdorim i plotë i një deklarate të SHBA-së, e cila thjesht e përshëndeste vendimin tonë si Kuvend për thirrje të seancës. E përkthyen si përkrahje për një votë pro mocionit. SHBA-ja kurrë s’ka kërkuar të votohet pro mocionit, kurse shtetet e BE-së e kanë bërë të qartë që të mos votohet mocioni ose të shtyhet. Pse nuk ishte e mjaftueshme një thirrje e tillë, unë s’e kuptoj. Sepse në kohën kur Kosova ballafaqohej me rrezikun e ndryshimit të kufijve, dhe humbjes më të madhe që LDK-ja do të pësonte, jo në vota, por në aspektin e projektit të saj ‘Kosova shtet i pavarur sovran dhe në kufijtë aktualë’, kush ishte personi që mbronte kufijtë tanë? Ishte kanelarja Merkel! Pse tani zëri i saj u bë tejet i parëndësishëm?”, pyeti Osmani.
Ajo tha se ka shumë gjëra për të cilat në këtë moment, për shkak të konfidencialitetit s’mund t’i thotë, por tha se “do të dalin në shesh dezinformatat që i janë dërguar SHBA-së nga një rrjet i organizuar nëpër parti politike”.
“Do të dalin edhe qëllimet e vërteta të njerëzve prapa krejt kësaj situate. Do të dalë edhe e vërteta që këtë qëndrim që e mbaj, s’e mbaj për vota, por unë, mes reputacionit dhe mes pozitës partiake dhe ndërgjegjes sime, gjithnjë e kam zgjedhur ndërgjegjen. Shpresoj që këtë ta kuptojë secili”, u shpreh ajo.
Ajo thotë se përkrahja e Gjermanisë dhe e SHBA-së është për popullin e Kosovës, jo për liderë të caktuar.
“Fakti se është injoruar demarshi i Francës dhe i Gjermanisë ndaj LDK-së, nuk është pritur mirë nga këto dy vende. Natyrisht se ata punojnë me secilën qeveri”, tha Osmani.
Për periudhën pas mocionit, Osmani tha se këto çështje do të përfundojnë në Kushtetuese.
Osmani: Po flitet hapur që marrëveshja mund të përfshijë amnistinë e vrasjeve të pasluftës
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani në DESK të KTV-së ka folur se marrëveshja, për të cilën po flitet haptaz, mund ta përfshijë edhe amnistinë e vrasjeve politike.
“Secili prej nesh duhet të mendojë për atë që po flitet hapur në qarqet diplomatike, që një marrëveshje e tillë mund të përfshijë edhe amnisti të krimeve të pasluftës dhe ku hyjnë vrasjet politike. Krimet e pasluftës që gati që të gjithë kanë qenë anëtarë të LDK-së”, ka thënë ajo. Ka vazhduar se nuk mund të hyjë në detaje shkaku i diskrecionit diplomatik.
“Por ajo që mund ta them me përgjegjësi të plotë që diplomatë të rangut të lartë kanë thënë se një gjë e tillë është përmendur dhe ka mbi dy vite që kjo është përmendur, qoftë në negociata të fshehta nga në për një kohë, e qoftë kur është përmendur në konferenca të ndryshme, por jopublikisht”, ka thënë ajo.
Kryekuvendarja megjithatë ka shtuar se një gjë e tillë megjithatë nuk do të ishte e papritur.
“Shpresoj që marrëveshja mos ta ketë një dispozitë të tillë për vrasjet e pasluftës, por nuk është e papritur prej një personi që është shndërruar në tregtar kufijsh”, ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se Kosovën e pret një situatë të rëndë.
Osmani: Kërkova që LDK-ja ta refuzojë qartë Thaçin si kryenegociator, kërkesa ime u refuzua
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë në DESK të KTV-së se kur ka filluar pandemia dhe shpallja e emergjencës shëndetësore në Kosovë, nuk e ka arsyetuar asnjë veprim që e ka nxitur situatën më tej. Kështu, ajo i është referuar veprimeve që i paraprinë rrëzimit të Qeverisë në Kosovë përmes një mocioni besimi, në kohë pandemie.
“Nuk mendoj që shkarkimi është dashur të bëhet në atë moment, por në të njëjtën kohë nuk besoj që Veliu duhet të jetë ministër në një Qeveri, së cilës nuk i beson”, ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se LDK-ja nuk ka qenë kurrë e njohur për veprimet e tilla.
Kryekuvendarja po ashtu ka thënë se për të, LDK-ja nuk ka qenë asnjëherë vetëm struktura e saj.
“LDK-në sot nuk e mban gjallë asnjë emër, asnjë strukturë, por e mban gjallë anëtarësia e saj. Kështu që ne vazhdimisht kthehemi të qytetari. Ne kemi dalur para qytetarëve me premtime tejet të qarta. Por para se të dal si kandidate për kryeministre, e kam bërë të qartë me anëtarët e partisë sime se nuk do ta pranoj asesi një koalicion me partitë e PAN-it. E këto partia ime e ka ditur”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se nuk ka as edhe një parim dhe as një pikë të vetme, të cilën ajo e ka shkelur.
“Nuk jam unë ajo që tani po dua të shkoj në një Qeveri që do të varet nga Lista Serbe dhe partitë e PAN-it dhe që skenarist e ka presidentin e vendit”, ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se gjatë viteve 2017-2019, sa ishte kryeministër Ramush Haradinaj, janë dërguar vazhdimisht letra nëpër shtetet e ndryshme të botës, përmes së cilave është bërë e qartë se “për LDK-në, presidenti i vendit nuk ka të drejtë të negociojë në emër të Kosovës, nuk ka të drejtë të nëshkruajë në emër të Kosovës, që janë të papranueshme planet e tij për ndryshimin e kufijve dhe vetëm një Qeveri me legjitimitet ka të drejtë ta bëjë këtë gjë”.
“Kur kërkova që e njëjta gjë të bëhet edhe tani, me këtë Qeveri, një propozim i tillë më është refuzuar. Pyetja ime ishte pse ne si LDK, sa ishte Ramush Haradinaj kryeministër, e kishim qëndrimin që Thaçi nuk mund ta udhëheqë dialogun, e tani kjo na u bëka e parëndësishme?”, ka treguar ajo.
Ajo ka folur edhe rreth historikut të krijimit të koalicionit midis LVV-së dhe LDK-së. Ka thënë se ka pasur njerëz që kanë shprehur vazhdimisht kundërshtimet brenda organeve të LDK-së, por “problemi eskaloi kur zërat që ishin kundër një koalicioni dhe bashkëpunimi me LVV-në, u bënë zëri themelor në LDK, midis tjerash edhe Veliu”.
“Edhe pse nuk kishin garuar në zgjedhjet e 6 tetorit, ndonëse e kishin një mundësi të tillë. Pra, ne mblidheshim të vendosnim, por ai jepte deklarata para se të mblidheshim dhe vendosnim ne”, ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se është bërë çmos të arrihet koalicioni me LVV-në.
“Ajo që i pengoi themelet janë keqkuptimet e mëdha gjatë negociatave dhe fakti që njerëzit që e kishin kundërshtuar këtë koalicion tani donin të kishin rolin kryesor në Qeveri”, ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se është e pakuptueshme të jesh në Qeveri dhe të kërkosh çdo natë rrëzimin e asaj Qeverie, së cilës i shërben.
“Kjo ka krijuar tensione brenda Qeverisë, të cilat i kanë paraprirë tensioneve tjera”, ka thënë kryekuvendarja.
“Ardhja deri te mocioni, nuk mendoj se mund të reduktohet vetëm në momentet e fundit të mocionit. Është një histori më e gjatë. Brenda një partie ka zëra të ndryshëm. Por, rreth çështjes së koalicionit me LVV-në, kemi qenë një numër i madh i njerëzve që kemi besuar se partitë që ishin deri në atë moment në pushtet, vërtet e kishin sjellë Kosovën buzë humnerës. Këtë qëndrim e kishte edhe kryetari i LDK-së. Shkaku i shumë keqpërdorimeve nga ato parti, na mbeti vetëm bashkëpunimi me LVV-në. Nuk ka pasur asnjë pikë në legjislacionin e kaluar që s’kemi diskutuar bashkë me LVV-në. E kjo ma ka betonuar përshtypjen që këto janë dy parti që synojnë reforma të thella, e kanë seriozisht luftimin e kapjes së shtetit. Unë dhe shumë të tjerë s’kishim si ta shihnim gjendjen ndryshe përpos një qeverie mes LDK-së dhe LVV-së. Ishim të interesuar ta kishim një qeveri që s’do të varej as nga votat e PAN-it e as nga Lista Serbe. Ne tashmë e kishim këtë qeveri. U ndërtua jo vetëm një pritje shumë e madhe tek qytetarët, një shpresë që s’e kishin parë tepër gjatë, një qeveri që përfshinte njerëz tejet profesionistë, me të cilët pjesa dërmuese e qytetarëve, janë ndier krenarë. Pra e kishim një qeveri që nuk varej as nga votat e PAN-it e as nga ato të Listës Serbe. Programi qeverisës është hartuar në masë të madhe nga njerëzit e LDK-së. Por, u rritën përpjekjet për të prishur bashkëpunimin mes LDK-së dhe LVV-së. Problemi eskaloi kur zërat që ishin kundër një koalicioni të tillë, u bënë zëri themelor në LDK. Po flas për Veliun dhe të tjerët. Përkundër faktit se s’kishin marrë pjesë fare në zgjedhje, dhe përkundër që s’kishin ndihmuar në zgjedhje, ata u bënë zëri kryesor. Kur u arrit marrëveshja me LVV-në, ata që e kundërshtuan koalicionin, tani kërkonin që të kishin rolin themelor brenda qeverisë. Unë isha kundër sepse e dija se kjo s’çon në bashkëpunim të sinqertë. Nëse e kundërshton konceptim e një qeverie dhe partnerin qeverisës, pse duhet të jesh ti aty, për mua është përtej imagjinatës. S’ka asnjë kuptim të jesh në qeveri dhe të kërkosh çdo natë rrëzimin e saj. Po flas edhe për intervistat e zotit Hoti. Ia kam thënë disa herë që nëse nuk beson në këtë qeveri, ka njerëz që i besojnë. Këto kanë qenë momentet e tensioneve brenda LDK-së”, u shpreh Osmani në emisionin DESKU në KTV.
Osmani foli edhe për gjendjen me koronavirus, ku tha se ky virus i ka barazuar të gjithë, sepse sfida është e njëjtë në mbarë botën. Ajo tha se fatkeqësisht, sistemi shëndetësor në Kosovë ka pasur shumë pak investime, dhe tha se pjesë e programit qeverisës ka qenë edhe investimi në shëndetësi.
“Të gjithë në sistemin shëndetësor kanë bërë një punë të mrekullueshme. Investimi në shëndetësi nuk është shpenzim. Mendoj që ka pasur një punë të shkëlqyeshme të institucioneve, MSH-ja, ministria e Infrastrukturës, FSK-ja, e të tjera. Sot u informova se në Qeveri, edhe pas konsultimeve që i kemi pasur me ekspertë të së drejtës kushtetuese, vendimi është që të kemi vendime veç e veç për komuna, jo nga qeveria, por me rekomandim të Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo do t’i japë në ndërkohë hapësirë Kuvendit për të ndërmarr masa për amandamentimin e disa ligjeve”, tha kryetarja e Kuvendit.
Ajo tha se synohet që edhe përtej 13 prillit të vazhdohet me masat që janë ndërmarrë deri më tani nga Qeveria.
Duke folur për çështjen e amandamentimit të legjislacionit në fuqi për pandeminë, ajo tha se është përgjegjësi e secilit deputet që të ndërmarrë të gjitha masat për lehtësimin e situatës në të cilën gjendemi.