Është mirë që filluan negociatat me opozitën për të arritur konsensus në vend lidhur me kontestin e emrit në prag të vizitës së ndërmjetësuesit të KB-së Metju Nimic. Kjo jep optimizëm dhe shpresë se me një konsensus do të ndërtojmë qëndrim shtetëror që do ta përmirësojë pozitën e vendit në prag të mbylljes së këtij kontesti, theksoi në takimin e sotëm me gazetarët Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.
“Është e qartë se edhe për datën e negociatave me BE-në dhe për NATO-n duhet zgjidhje e kontestit me emrin. Unë jam optimist dhe nuk shoh alternativë tjetër në pjesën e marrjes së ftesës për në NATO e as lidhur me marrjen e datës për fillimin e negociatave. Mungesën e alternativës e shoh në faktin që ky vit është shumë më i qëlluar që të mund të zgjidhet kontesti dhe të mund të materializohet edhe në anëtarësimin në NATO dhe në BE. Periudha e ardhshme është shumë e paparashikueshme edhe në vendet të cilat duhet ta zgjidhin kontestin edhe në vetë BE-në. Kështu që jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e momentit dhe për këtë jemi të vendosur, me çdo çmim, ta mbyllim çështjen duke e ruajtur dinjitetin dhe në njërin edhe në vendin tjetër dhe duke hapur kapitull të ri të bashkëpunimit në rajon dhe të bashkëpunimit të rajonit me BE-në dhe me NATO-n”, tha Osmani. Ai theksoi se në takimin koordinues të shtunën janë informuar për propozimin e fundit të ndërmjetësuesit Metju Nimic dhe pret të ndërtohet qëndrim para ardhjes së tij në vend.
“Është shumë herët tani të komentojmë lidhur me atë cili është qëndrimi i vendit. Në mënyrë shtesë vijon proces i konsultimeve për harmonizimin mes partive politike. Partitë pardje për herë të parë e kanë parë propozimin kështu që me rëndësi është se ka bisedime në të gjitha nivelet, në nivel të ministrave të jashtëm, në nivel të kryeministrave të shteteve, ka klimë pozitive, ka interes te miqtë tanë për zgjidhjen. Ka vendosmëri te Qeveria se duhet të zhbllokohet rruga drejtë NATO-s dhe BE-së”, theksoi Osmani.
Lidhur me qëndrimin për referendum për konsensusin eventual për emrin, Osmani e theksoi qëndrimin e liderit të BDI-së Ali Ahmeti, për “Katimerini”, se qëndrimi partiak është se procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës, të arrihet konsensus sa më i madh, por se shteti është ai që duhet ta merr përgjegjësinë dhe se edhe në këtë rast duhet të zbatohet parimi me marrëveshjen me Bullgarinë, pa pasur referendum. Ndryshe, siç theksoi, në Qeveri ekzistojnë dy qëndrime të ndryshme të partnerëve të koalicionit – LSDM-ja është e qëndrimit se duhet të ketë referendum, ndërsa BDI-ja se referendum nuk duhet dhe për këtë, thotë nëpër këtë proces të konsultimeve mes partive politike duhet të gjejmë dhe ndërtojmë qasje të përbashkët.
Osmani paralajmëroi se sot niset për në Vjenë 10-të ditë para publikimit të Strategjisë për zgjerim të BE-së, në suaza të përpjekjeve për lobim për perspektiva të fuqishme dhe stabile të vendit. Vazhdon edhe me mini turneun ballkanik me vizitë në Sofje i cili do të ndodhë pas publikimit të Strategjisë për zgjerim të KE-së, do të jetë në kontekst të mundësive për Maqedoninë nga presidenca e Bullgarisë me Këshillin Evropian, si dhe aktivitetet tona dhe përgatitjet për samitin historik për zgjerim i cili do të mbahet në maj, në Sofje. Lidhur me implementimin e Planit 3-6-9 informon se ka progres në implementimin e reformave në sferat kyçe, por edhe vonesë lidhur me miratimin e ligjeve në Kuvend.