Shkup, 15 mars – Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, në rolin e koordinatorit të qeverisë për organizimin e seancës së përbashkët qeveritare me Kosovën, sot u takua me Zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj.
Në takim, siç citohet në njoftimin e SÇE-së, u shqyrtuan përgatitjet për këtë seancë në të cilën pritet të nënshkruhen disa marrëveshje për bashkëpunim të ndërsjellë dhe të merren më shumë vendime në lidhje me iniciativat për projekte me interes për të dyja vendet.
“Maqedonia dhe Kosova nuk kanë çështje të hapura, që paraqet bazë mbi të cilën ndërtohen marrëdhëniet tona të fqinjësisë së mirë”, tha Osmani në takim. Ai vuri në dukje se qeveritë e të dyja vendeve kanë për obligim që marrëdhëniet e mira midis popujve të dy vendeve t’i shkrijnë në politika reale, me të cilat do të mundësohet thellimi i bashkëpunimit, komunikimit, shkëmbimit dhe në përgjithësi bashkëveprimi mes dy shteteve.
Gjatë takimit u shqyrtuan disa iniciativa për bashkëpunim të ndërsjellë, siç është mundësia e bashkëpunimit në energji, përparimin e infrastrukturës, lehtësime dhe ulje të tarifave në komunikimin telefonik dhe dixhital, promovimi i njohjes reciproke të dokumenteve si patentat e shoferit, dhe iniciativa të tjera të shumta, dhe finalizimi i të cilave pritet gjatë mbajtjes së shpejti të seancës së parë të përbashkët qeveritare midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës.
“Strategjia e Komisionit Evropian por edhe nisma të tjera siç është procesi i Berlinit, kanë identifikuar qartë bashkëpunimin reciprok të vendeve të Ballkanit Perëndimor si një ndër parakushtet themelore për përparimin e përgjithshëm të rajonit por edhe integrimin evropian të këtyre vendeve. Progresi në bashkëpunimin mes Maqedonisë dhe Kosovës mund të jetë shembull se si dy shtete mund të ju mundësojnë qytetarëve të tyre shkëmbim dhe bashkëpunim të suksesshëm ndërfqinjësor ” tha Osmani, duke shtuar se ai pret që seanca e ardhshme e përbashkët qeveritare të përmbyll këtë proces me çka bashkëpunimi mes Maqedonisë dhe Kosovës do të thellohet edhe më tej.
Seanca e përbashkët qeveritare mes Maqedonisë dhe Kosovës paraqet pjesë të serive të seancave të përbashkëta të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë me Qeveritë e shteteve fqinje.
Pas mbajtjes së seancave të përbashkëta me Bullgarinë dhe Shqipërinë,në periudhën e ardhshme pritet edhe për mbajtjen e seancave të përbashkëta me Serbinë dhe Kosovën.