Shkup, 20 maj – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani në margjinat e takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës i cili u mbajt në Torino të Italisë realizoi takime bilaterale me ministrin e Punëve të Jashtme të Gjeorgjisë, Illia Darçiashvili, atë të Azerbajxhanit Xhejhun Bajramov, të Armenisë Ararat Mirzojan, të Moldavisë Niku Popesku dhe zëvendësministren e parë të Punëve të Jashtme të Ukrainës, Emine Xhafarova.
Siç theksohet në kumtesën e MPJ-së, fokusi i bisedimeve ka qenë në kryesimin e Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023, situatën e sigurisë në rajonin e OSBE-së si dhe arkitekturën e rrënuar të sigurisë në Evropë. Janë shkëmbyer mendime edhe për situatën në Ukrainë pas agresionit ushtarak rus dhe shfrytëzimin e mekanizmave të Këshillit të Evropës për përgjegjësinë për shkeljen e të drejtave të njeriut, ndërsa është potencuar edhe rëndësia e perspektivës së BE-së si për vendet e Ballkanit Perëndimor ashtu edhe për ato të partneritetit lindor.
Ministri Osmani bëri me dije se si pjesë e treshes kryesuese me OSBE-në këtë vit dhe kryesues i ardhshëm në vitin 2023, Maqedonia e Veriut fuqishëm angazhohet për ruajtjen e parimeve themelore dhe vlerave të Organizatës – siç janë respektimi i sovraniteti, integritetit territorial dhe pavarësisë politike të vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së.
Ndryshe, janë shkëmbyer mendime edhe për bashkëpunimin në kuadër të Këshillit të Evropës si forum kryesor për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e së drejtës.