Shkup, 14 tetor – Presim vendim të qartë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, sepse ky është epilogu i vetëm i drejtë në këtë proces i cili nuk bazohet në lëvizje politike, theksoi zëvendëskryeministri Bujar Osmani në seancën e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane.
Ai theksoi se sytë e 20 milionë banorëve të Ballkanit Perëndimor janë të drejtuar drejtë Brukselit dhe presin se çfarë përgjigje do të marrë Maqedonia e Veriut dhe a do ta mbajë BE-ja fjalën që të përballet me perspektivën e këtij vendi.
“Qytetarët e Kosovës janë duke pritur se çfarë përgjigje do të marrë Maqedonia e Veriut për të parë nëse ia vlen që të hyjnë në një dialog kompromisi me Serbinë, dhe sytë e tetë milionë qytetarëve serbë janë drejtuar në Bruksel për të parë se çfarë përgjigje do të marrë Maqedonia e Veriut”, tha Osmani.
Pritjet, siç theksoi zëvendëskryeministri janë të mëdha dhe kjo është e natyrshme, sepse ky nuk është proces të cilin e filluam dje, por është proces në të cilin punojmë 19 vitet e fundit.
Zëvendëskryeministri Osmani theksoi se si shtet jemi të gatshëm për sfidën të cilën e sjellin negociatat për anëtarësim.
Duke folur për rrjedhën e legjislacionit evropian, Osmani para të pranishmëve sqaroi se deri ku është procesi dhe se çka e pret vendin pasi t’i fillojë negociatat me Unionin, ndërsa e prezantoi edhe strukturën negociuese vendosja e së cilës tashmë është finalizuar.
“Pas dy dekadave në procesin e integrimit evropian Republika e Maqedonisë së Veriut përfundimisht do të kalojë në fazën e shumëpritur të negociatave e cila paraqet jo vetëm shpërblim por edhe valorizim të gjithë asaj që e arritëm bashkë, veçanërisht reformat të cilat ishin zbatuar me koncensus dhe të partive në pushtet edhe të atyre në opozitë. Me këtë iu treguam edhe qytetarëve edhe partnerëve tanë ndërkombëtarë se integrimi evropian është përcaktim strategjik në të cilin besojmë të gjithë dhe për realizimin e së cilit kontribuojmë të gjithë”, theksoi Osmani.
Besoj, theksoi ai, se në samitin e tetorit vendet-anëtare do të sjellin vendim i cili do të japë impuls për progres të mëtutjeshëm të vendit, impuls i cili do të ketë ndikim pozitiv edhe ndaj proceseve të tjera në rajon, ndërsa do të paraqesë edhe kontribut pozitiv në krijimin e Bashkimit Evropian më stabil, më të sigurt dhe më të besueshëm.
Kryetari i Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, Nikolla Poposki theksoi se ne nuk vendosim për datën, por 27 gjegjësisht 28 shtete anëtare, pasi Britania është ende pjesë e BE-së.
“Ne do të bëhemi anëtarë të BE-së, kur t’i afrohemi kaq shumë standardeve evropiane, sa për ta do të jetë njësoj nëse hyjmë ose jo në BE. Dhe mendoj se ky do të jetë kriteri kryesor për zgjerimet në vijim”, tha Poposki.
Ai në fjalimin e tij tha se Makroni dhe Merkeli sigurisht që takimin nuk do t’ia kushtojnë Maqedonisë së Veriut, duke i pasur parasysh se ka shumë çështje më të rëndësishme për bisedime.
Deputetja Ivana Tufekxhiq theksoi se do të jetë shumë dëshpëruese nëse marrim edhe një shtyrje më shumë, sepse, siç shtoi, edhe një shtyrje do të nënkuptojë shkeljen e besimit të BE-së para qytetarëve tanë.
“Këtu nuk bëhet fjalë për lojë politike, por për sqarim të cilin ia kemi borxh qytetarëve tanë, sepse si shtet bëmë hapa të rëndë dhe mendoj se duhet të na pranohet. Nuk flas për viktima politike, por për lëshime serioze të cilat i bëmë në emër të eurointegrimeve dhe qytetarët e mbështetën këtë”, tha ajo.
Këtu nuk bëhet fjalë për dhuratë, sepse, siç tha Tufekxhiq “neve askush nuk na dhuron asgjë, por përkundrazi ne seriozisht e kryejmë detyrën të cilën ia dhamë vetes”.
Këshilltari i veçantë për integrime euroatlantike në kabinetin e kryeministrit, Bojan Mariçiq, mes tjerash tha se të gjithë duhet të jemi të lumtur për shkak të pikës në të cilën gjendemi dhe të jemi të kujdesshëm sepse kemi edhe shumë punë para nesh pa dallim të asaj se si do të jetë vendimi në fund të kësaj jave.
“Se a kemi të drejtë që të gëzohemi, atë do ta shohim në fund të javës. Por, mendoj se është bërë aq shumë dhe shumë vendime të rënda kaluan dhe përmes Kuvendit dhe Qeverisë dhe në shoqëri që nëse marrim vendimin e pritur pozitiv do të duhet ta presim me gëzim, por edhe me përgjegjësi më të madhe deh punë më intensive në të gjitha nivelet”, tha Mariçiq.
Shtoi se duhet të jemi të lumtur nëse pas 15 viteve dalim nga dhoma e pritjes dhe nëse mobilizohemi siç kemi nisur për transformimin e shoqërisë dhe për reforma në të gjitha nivelet.
Në seancën e sotme të gjashtë të Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane morën pjesë anëtarët e komisionit për çështje të jashtme, ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe organizatave qytetare.(koha.mk)