Politika dhe Qeveria nuk do të përzihen në gjyqësi, e as të bëjnë rizgjedhje të përgjithshme të gjykatësve. Qëndrimi ynë është që të bëhen reforma esenciale në gjyqësi. Atje ku është gabuar do të ketë masa, megjithatë atë kompetencë e jep Këshilli Gjyqësor si organ i cili në bazë të kritereve cilësore dhe sasiore do të marrë vendim, deklaroi sot zëvendëskryeministri Bujar Osmani.
“Lidhur me deklaratën se nëse do të ketë ose jo rizgjedhje të gjykatësve, është konsensual qëndrimi i Qeverisë, Komisionit Evropian, trupave të Këshillit të Evropës, duke e përfshirë edhe Komisionin e Venecies dhe GREKO-n se janë të domosdoshme reforma esenciale në gjyqësi. Megjithatë, interpretimi se Qeveria ose partitë politike do të bëjnë rizgjedhje të përgjithshme të gjykatësve është interpretim i gabuar. Politika nuk do të përzihet në gjyqësi, e as të bëjë rizgjedhje të përgjithshme të gjykatësve. As, madje, modeli i cili shpjegohet që do të shfrytëzohet, modeli shqiptar i gjykatësve gjithashtu nuk mund të implementohet sepse çdo sistem është bërë në pajtueshmëri të kushteve të shtetit. Atje ku është gabuar do të ketë masa, megjithatë kjo kompetencë i jepet Këshillit Gjyqësor si organ i cili në bazë të kritereve cilësore dhe sasiore do të marrë vendim. Megjithatë, mospërzierje të politikës dhe mospërzierje të Qeverisë, as të shumicës së re parlamentare në këtë pjesë. Këshilli gjyqësor në kuadër të gjyqësisë do të duhet të bëjë reforma esenciale”, tha Osmani në pyetjen e gazetarëve para takimit të SÇE-së dhe Ministrisë së Drejtësisë kushtuar implementimit të reformave nga Plani 3-6-9 në pjesën e gjyqësisë.
Ai theksoi se zbatimi i reformave gjyqësore është një prej kushteve kyçe në pjesën politike të kritereve të cilët Maqedonia duhet t’i përmbushë për anëtarësim në BE, ndërsa me Planin 3-6-9 pjesa më e madhe e masave, gjithsej 13, janë paraparë pikërisht në sferën e gjyqësisë. Vërejti edhe në qasjen e re të BE-së e cila vlen për çdo vend kandidat që negociatat për inkuadrim t’i fillojnë dhe përfundojnë me kapitujt 23 dhe 24 sa i përket gjyqësisë dhe të drejtave themelore të njeriut.
“Prej këtu Plani 3-6-9 numër më të madh të masave ka pikërisht për gjyqësinë – 13, për të cilët është kompetente Ministria e Drejtësisë. Megjithatë, ne si koordinatorë të këtij projekti e lehtësojmë, e koordinojmë dhe e bëjmë procesin inkluziv. Qëllimi i kësaj tribune është që së bashku me përfaqësuesit e institucioneve të pavarura në gjyqësi të krijojmë konsensus lidhur me nevojën për reforma, t’i koordinojmë aktivitetet në pjesën e monitorimit, implementimit dhe në pjesën e informimit”, tha zëvendëskryeministri Osmani. Ministri i Drejtësisë Bilen Saliji theksoi se Ministria e Drejtësisë në kuadër të kompetenca të saj tanimë ka formuar Këshill për ndjekje të reformave në gjyqësi dhe grupe të punës të cilët punojnë në miratimin, gjegjësisht avancimin e strategjisë në gjyqësi e cila i dedikohet Qeverisë që ta miratojë deri në tetor të këtij viti.
Ai shtoi se me formimin e nëngrupeve do të punohet në miratimin e ligjeve speciale të cilët u dedikohen gjithashtu obligimeve në pjesën e gjyqësisë, ndërsa kjo është, thotë, lënie jashtë fuqisë të Ligjit për konfirmim të fakteve dhe transmetim të të gjithë kompetencave prapa në Këshillin gjyqësor të RM-së. Atje do t’i konfirmojmë të gjithë parimet saktësisht për arritje të nivelit më të pavarur të punës. Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve në kompetencë të së cilave është implementimi i masave për gjyqësi të parapara në Planin 3-6-9.