Futbollistët e Renovës nga 8 dhjetori janë lëshuar në pushim të merituar, ndërsa i njëjti do të zgjasë deri më 8 janar, kur trajneri Qatip Osmani ka caktuar grumbullimin e parë për sezonin pranveror. Bardhekaltërit kanë pasur një sezon të mirë, edhe pse tabela nuk e dëshmon një gjë të tillë, duke marr parasysh se ata renditen në pozitën e gjashtë me 23 pikë të grumbulluara. Trajneri Qatip Osmani thotë se në futboll asnjëherë nuk mund të jesh i kënaqur me rezultat të cilat i arrin, ndërsa tregon se ndikim në rezultatet përfundimtare këtë sezon, kanë pasur referat. “Mendoj se kemi mundur të kemi ndonjë pikë më tepër, por për arsye të ndryshme nuk ia arritëm këtë. Pas startit të mirë që e kishim, patëm një rënie individuale te disa lojtarë, të cilët ishin jashtë formës së tyre dhe ajo ndikoi direkt në rezultatin tonë. Derisa, arsyeja kryesore që Renova nuk ka më tepër pikë, janë referat. Na është bërë padrejtësi në disa ndeshje dhe ato kanë ndikuar direkt në rezultatet tona, në të kundërtën mendoj se do të kishim më shumë pikë se sa kemi tani”, shprehet për KOHA, Osmani. Ai pranon se Renova ende është në luftë për pozitën e tretë dhe të katërt, edhe pse sipas tij ambiciet e klubit në fillim të sezonit kanë qenë mesi i tabelës. “Ne edhe para fillimit të kampionatit thamë se qëllimi i Renovës do të jetë mesi i tabelës. Nëse na jepet mundësia që të vazhdojmë të luftojmë për pozitën e tretë apo të katërt, sigurisht se do të bëjmë çmos që t’ia arrijmë qëllimit. Aktualisht ajo mundësi ekziston, pasi negativi që kemi kundrejt ekipit të tretë dhe të katërt është pesë respektivisht katër pikë. Jam optimist dhe besojmë se në fund do të arrijmë të plasohemi së paku në pozitën e katërt”, nënvizon më tej trajneri bardhekaltër. Ndryshe, trajneri i skuadrës tetovare pranon se ekipit i nevojiten dy lojtar, ndërsa nuk përjashton mundësinë që ndonjë futbollist të kërkojë të largohet, por sipas tij kjo gjë do të mësohet në ditët në vazhdim. “Ne vazhdimisht jemi në kontakte me drejtuesit e klubit dhe bëjmë plane për sezonin pranveror. Jam takuar edhe me pronarin e klubit dhe kemi ardhur në përfundim se ekipit i nevojiten së paku dy lojtar kualitativ. Sigurisht se ata janë në kërkim të atyre lojtarëve, respektivisht një sulmues dhe një mesfushorë ofensivë. Derisa, gjatë këtyre ditëve do të mësojmë se mos ndoshta dikush do të largohet nga ekipi, pasi ka disa lojtar që u skadon kontrata dhe drejtuesit duhet të ulen dhe të bisedojnë me ata. Por, deri në fund të javës do të qartësohet edhe kjo gjë”, përfundoi trajneri i Renovës Qatip Osmani. Ndërkohë, gazeta KOHA, gjatë ditës së mërkurë njoftoi se mbrojtësi Visar Musliu në afatin kalimtar të janarit mund të largohet nga Renova, pasi paraprakisht ai është marr vesh me drejtuesit e Vardarit, me të cilët ka arritur marrëveshje tre vjeçare. Deri më tani askush pos Musliut nuk ka paralajmërime për ndonjë largim eventual të ndonjë futbollisti nga skuadra tetovare. (koha.mk)