Osmani: Për PSP-në të bisedohet paralelisht edhe me opozitën edhe me deputetët

Shkup, 25 mars – Për ligjin për Prokurorinë Speciale Publike duhet të punojmë paralelisht në dy drejtime, dhe të tentojmë të arrijmë konsensus me opozitën dhe të bisedojmë me deputetët.

Këtë sot e deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar osmani lidhur me ligjin për PSP-në, pas takimit në Qeveri me përfaqësuesit e Grupit ndër-resorial të punës për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe me drejtorin e Agjencisë për zbatimin e ligjit.

“Paralelisht duhet të punojmë në dy drejtimet dhe të tentojmë maksimalisht të arrijmë konsensus, sepse megjithatë bëhet fjalë për sferë që kërkon konsensus në një shoqëri”, tha Osmani.

U dërgoi porosi të gjithë partive politike të mos heqin dorë nga kërkimi i konsensusit deri në moment të fundit, por paralelisht, siç theksoi, duhet të shohim edhe mënyra tjera për komunikim drejtpërdrejtë me ata që e sjellin vendimin, e ata janë deputetët.

Grupet e punës të pushtetit dhe opozitës deri më tani nuk arritën të harmonizohen rreth Ligjit për prokurorinë speciale, me të cilin duhet të zgjidhet edhe statusi i ardhshëm i PSP-së.