Shkup, 25 mars – Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane Bujar Osmani, sot mbajti takim me Peshkopin e Shkupit dhe kryesuesin e Kishës Katolike Romake në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Kiro Stojanov, në prag të vizitës së kreut të Kishës Katolike, Papa Françeskut në vendin tonë.
“Është nder i veçantë që Papa Françesku do ta vizitojë Maqedoninë e Veriut, si simbol i orientimit tonë shoqëror dhe civilizues drejt Evropës dhe vlerave perëndimore. Kënaqësi e veçantë është që papa do ta vizitojë Shkupin, vendlindjen e Nënë Terezës si mirënjohje për kontributin tonë në humanizmin, solidaritetin dhe mirësinë botërore”, theksoi Osmani në takim, duke potencuar në traditat dhe marrëdhëniet e mira mes bashkësive të ndryshme fetare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke e përfshirë këtu edhe komunitetin fetar katolik romak.
Në takim u këmbyen informacione lidhur me mënyrën e organizimit të takimit, ku Zëvendëskryeministri Osmani shprehu besim se Qeveria do të sigurojë trajtim të përshtatshëm dhe mbështetje logjistike për organizimin e suksesshëm të vizitës.
“Kjo vizitë, krahas rëndësisë për përfaqësuesit e bashkësisë katolike romake, është e rëndësisë së veçantë edhe për vendin dhe Qeveria me aktivitetet e veta do të përgjigjet në mënyrë të përshtatshme për nivelin e duhur të organizimit të kësaj vizite”, theksoi Osmani.
Në takim u hapën edhe çështjet për bashkëpunim mes bashkësive fetare në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe përfaqësuesve të shtetit, si dhe marrëdhëniet mes vetë bashkësive fetare dhe bashkëpunimi i tyre i ndërsjellë, ku bashkëbiseduesit iu referuan dialogut mes bashkësive dhe vendit me qëllim të ndërtimit të shoqërisë funksionale multi – konfesionale.