Shkup, 8 shkurt – SHBA-ja nuk është vetëm partner strategjik i Maqedonisë, por me siguri edhe miku më i rëndësishëm, me prezencën dhe pjesëmarrjen aktive të të cilës janë realizuar kthesat më të rëndësishme të vendit, suksesi i të cilës është vendosur edhe në ndërtimin e vetë shtetit. Këtë e theksoi Zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani në takimin me zëvendës ndihmës sekretarin e shtetit në SHBA për Evropën dhe Euroazinë, Metju Palmer, në Departamentin e Shtetit të realizuar në suaza të vizitës disaditore të punës në Uashington.
Siç kumtoi sot SÇE, Osmani, me këtë rast ka potencuar se nga pavarësimi i shtetit, Marrëveshja e Ohrit, organizimi territorial, si dhe Marrëveshja e Prespës implementimi i së cilës përfundoi pak para vizitës. Sipas tij, edhe suksesi i nënshkrimit të protokollit për në NATO paraqet rezultat pikërisht të këtij partneriteti, për të cilin potencoi se pret të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“E presim mbështetjen e SHBA-së dhe në periudhën që vijon kur do të finalizohen ngjarjet kryesore me të cilat do t’i vendosim themelet e anëtarësimit të plotë në NATO dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, theksoi Osmani.
Ai ka referuar edhe për gjendjen politike në vend, progresin e vendit në përmbushjen e kritereve, përmes implementimit të Planit reformues 18, si dhe për progresin në marrëdhëniet me fqinjët.
“Maqedonia tashmë nuk ka çështje të hapura politike, dhe sërish e merr vendin qendror në Ballkan, si partner kryesor i SHBA-së, BE-së dhe NATO-s në promovimin e vlerave demokratike perëndimore në rajon”, ka theksuar Osmani.
Në suaza të vizitës në Senat, Osmani ka realizuar takim edhe me senatorin Ron Xhonson, i cili njëherit është bashkëkryesues edhe me Komitetin për siguri vendore dhe çështje qeveritare pranë Senatit të SHBA-së. Senatori Xhonson e ka informuar Osmanin për nismën e tij, së bashku me senatoren Xhein Shain, në Senatin amerikan me të cilin përshëndeten të gjitha aktivitet e Maqedonisë dhe Greqisë lidhur me implementimin e Marrëveshjes së Prespës.
Paraprakisht Osmani ka marrë pjesë edhe në mëngjesin tradicional të lutjes në organizim të presidentit amerikan Donald Tramp. Në agjendën e sotme të tij është edhe vizita e Kongresit amerikan ku Osmani do të realizojë takim edhe me kongresistin Stiv Stilers, i cili deri në janar të këtij vitit e ka ushtruar funksionin e kryetarit të Këshillit kombëtar republikan në Kongresin e SHBA-së. Vizitë qendrore në Kongres do të jetë takimi me bashkëkryesuesin e Komitetit për politikë të jashtme në Kongresin e SHBA-së, Eliot Ejxhëll, qëndron në kumtesë.(koha.mk)