Shkup, 3 maj – Pas takimeve dypalëshe që i patëm në Berlin, unë jam optimist se në qershor është një rast i mirë të marrim vendim për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani në konferencën për shtyp në Klubin e deputetëve, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Mediave.
Theksoi se Samiti i Berlinit nuk ka qenë për zgjerim, por që të kthehet fokusi i vendeve-anëtare të Bashkimit Evropian drejt zhbllokimit të procesit të bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, ndërsa një moment tjetër i rëndësishëm, sipas tij, është që janë ftuar vendet e rajonit, që të jenë dëshmitarë dhe garantë të zgjidhjes hipotetike që mund të gjendet midis Kosovës dhe Serbisë.
“Ne e shfrytëzuam këtë samit që të kemi takime dypalëshe dhe me kancelaren Merkel, dhe me Mogerinin jashtë kontestit të samitit dhe kuptohet duhej t’i hapnim çështjet që neve na prekin. Por samiti nuk debatoi për çështjet për zgjerim, gjegjësisht për çështje për datë, por jashtëzakonisht për temën e zhbllokimit të bisedimeve Kosovë-Serbi”, tha Osmani.
Theksoi se vendi në Samit ka qenë i ftuar edhe një një funksion tjetër – që të jetë model dhe t’i inkurajojmë edhe Kosovën edhe Serbinë dhe vendet e tjera si zgjidhen problemet ndërshtetërore.
“Republika e Maqedonisë së Veriut është shembull për ringjallje të suksesshme të idesë evropiane në një rajon të vështirë siç është Ballkani. Ky tregim është tejet i fuqishëm që nuk mund ta injorojnë asnjë vend-anëtar dhe kështu mendoj se do të jetë edhe vendimi në qershor. Ende ekziston dilemë teknike nëse Bundestagu do të mund që në një sesion të vetëm midis rekomandimit dhe vendimit të Këshillit të debatojë, megjithatë bëjmë përpjekje që edhe këtë periudhë ta shfrytëzojmë maksimalisht që të mos lëmë asnjë argument që të shtyhet debati”, theksoi Osmani.
Lidhur me këtë nëse do të vendoset për perspektivë euroatlantike të vendit në pako, Osmani tha se pritjet tona janë se të dyja vendet duhet të marrin datë për fillimin e negociatave, sepse kështu krijojmë parakushte për sinergji dhe bashkëpunim midis të dyja vendeve në vetë negociatat, por edhe jepet nxitje për të gjithë rajonin, sepse do të kemi katër shtete nga gjashtë që fillojnë negociata.
“Por parimin që e avokojmë është se duhet të ketë parim regatë, dhe secili vend duhet të lëvizë sipas shpejtësisë që vet e imponon, dhe do të ketë qasje meritokratike për merita individuale për secilin vend”, vlerësoi Osmani.
Osmani, në konferencën për shtyp, përkujtoi se vendi kalon një maratonë të gjatë për anëtarësim në BE, dhe se tani ndodhemi në hapat e fundit para momentit të madh kur merret vendimi për fillimin e negociatave.
“Konsideroj se këto hapa të fundit përputhen edhe me hapat që qytetarët duhet t’i kalojnë nga shtëpitë e tyre deri te vendvotimet, sepse zgjedhje të suksesshme më 5 maj, do të thotë dëshmim të pjekurisë dhe kapacitetit demokratik të shtetit. Kjo do të jetë porosia më e fuqishme, dhe argumenti i ardhshëm me të cilin do të binden vendet-anëtare dhe Komisioni Evropian, se ky shtet i përmbush të gjitha kushtet edhe politike edhe teknike, për fillimin e negociatave”, nënvizoi zëvendëskryeministri Osmani.