Bujar KURTAJ
Shkup, 27 qershor – Skuadra e Struga Trim-Lum në faqen e saj zyrtare në “Facebook” ka njoftuar për ndodhitë e fundit në klub. Skuadra strugane është në fazë të rikonstruimit, një pjesë po largohen, ndërsa një pjesë po qëndrojnë, kurse nga klubi njoftojnë se do të arrijnë edhe përforcime të reja.
Në fakt, lajmi ndoshta më i mirë për tifozët e saj është vazhdimi i kontratës me njërin prej futbollistëve më të mirë të saj, shkupjanin Florent Osmani. Sulmuesi i krahut ishte njëri prej futbollistëve më të rregullt, duke kaluar shumë minuta në fushë, me çka kryesia e klubit nuk ka pasur alternativë tjerë vetëm se të vazhdojë bashkëpunim me at. Dhe pas takimit që kanë zhvilluar të dyja palët, duke gjetur akordin për vazhdimin e bashkëpunimit edhe për një vit.
Pas vazhdimit të bashkëpunimit me skuadrën e Struga Trim-Lum, për gazetën KOHA ka folur vetëm Florent Osmani, i cili nuk e fshehu gazimin e tij që edhe në të ardhmen do të jetë pjesë e skuadrës strugane. “Pas bisedimeve që kisha me kryesinë e klubit dhe me kushtet e ofruara, vendosa që të firmos kontratë të re, e cila në Strugë do të më mbajë edhe një vit”, u shpreh në fillim Osmani.
“Struga për mua është shtëpia e dytë, pasi dy vite kam kaluar shumë mirë, derisa edhe sukseset nuk kanë munguar. Këtu do të veçoja ngjitjen në elitën e futbollit vendor, gjysmëfinalen e Kupës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa unë dhe sigurisht bashkëlojtarët e mi shpresojmë se këtë vit të jemi më të suksesshëm nën udhëheqjen e trajnerit të ri Srgjan Zaharievski”, deklaroi Florent Osmani. Cekim, deri më tani Osmani në 22 paraqitje ka shënuar dy gola dhe një asistim, ndërsa për Kupë arriti të shënojë dy gola. Vlen të ceket edhe ajo se goli kundër Makedonia Gj.P. në sekondën e 19-të ishte goli më i shpejtë këtë sezon dhe i dyti më i shpejtë në historinë e Ligës së parë.
Ndërkohë, nga klubi gjithashtu njoftuan se Arion Ziba është rikthyer në ekip pas huazimit të suksesshëm në Ligën e dytë, Flamur Tairi vazhdoi kontratën edhe për dy vite, ndërsa Arben Tafe u largua nga klubi për t’iu bashkuar skuadrës së Bellasicës nga Strumica.