Shkup, 18 dhjetor – Zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani sot deklaroi se në vijim janë bisedimet për plotësimin e vendeve të zbrazura ministrore dhe se nuk do të ketë rikonstruim më të madh të Qeverisë.
“Mendoj se axhenda kuvendore nuk lejon çfarëdo qoftë shqyrtimi të propozimeve të reja deri më 25 dhjetor, kështu që këto ditë do të shfrytëzohen për konsultime shtesë lidhur me këtë çështje. Të paktën sipas asaj që është biseduar sot, nuk pres të ketë rikonstruim më të gjerë të Qeverisë, por parimisht plotësim të vendeve të zbrazura pas zgjedhjeve lokale”, theksoi Osmani, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas nënshkrimit të sotëm të marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik dhe teknik me Republikën Popullore të Kinës.