Osmani nga Likova: Shtabet lokale të krizave janë linja e parë e mbrojtjes në vendbanimet rurale

19

Kumanovë, 8 prill  – Zëvendëskryeministri i obliguar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani në kuadër të vizitës së sotme në shtabin lokal të krizave në Likovë u njoftua me gjendjen, nevojat dhe sfidat me të cilat ballafaqohet komuna në ballafaqimin e me KOVID 19.

“Shtabet lokale janë jashtëzakonisht të rëndësishme për ballafaqimin me KOVID 19, veçanërisht në mjediset rurale”, theksoi Osmani i cili njëherësh është edhe koordinatori kryesor i shtabeve të krizës së njësiteve të vetëqeverisjes lokale për mbrojtje nga KOVID-19.

Ai së bashku me zëvendësministrin e Shëndetësisë, Armend Arsllani dhe drejtorin e Institutit për Shëndet Publik, Shaban Memeti, sot i vizituan rajonet në Komunën e Likovës dhe rrethinë, me qëllim që drejtpërdrejtë në terren t’i shqyrtojnë gjendjet dhe sfidat me të cilat përballet popullata e këtij rajoni në ballafaqimin me KOVID 19.

“Kumanova së bashku me rrethinë, pastaj Shkupi, e kanë numrin më të madh të të infektuarve, ndërsa për kokë banori, definitivisht është në vend të parë. Kjo flet se masat për izolim të plotë aspak nuk janë shumë rigoroze, por përkundrazi – ato janë zgjidhja më e mirë e mundshme për momentin që të kufizohet përhapja e koronavirusit dhe me këtë të ulet intensiteti i epidemisë”, theksoi Osmani.

Ai shtoi se Qeveria është në koordinim të përditshëm me të gjitha vendbanimet, por se në lokacione të tilla më të largëta, veçanërisht në ato rurale apo vendbanime të izoluara, më së shumti pritet puna e shtabeve lokale të krizës, të cilat janë vendosur në nivel të bashkësisë lokale.

“Pikërisht këto shtabe lokale në të cilat duhet pasur përfaqësues të policisë, të komunës, të bashkësisë lokale, një doktor apo punonjës shëndetësor, për qytetarët lokalë e paraqet linjën e parë të mbrojtjes nga KOVID 19”, shtoi Osmani.

Vizitat e tilla kanë për qëllim që të bëhet shqyrtim në terren në vendbanimet, që të marrin informacione reale që t’u ndihmohet shtabeve lokale në zbatimin dhe respektimin e masave, në pajtim me aktivitetet e pushtetit qendror dhe t’u dilet në ndihmë qytetarëve. Paraprakisht, zëvendëskryetari i ka vizituar edhe Llabunishtën dhe Strugën. (koha.mk)

Comments are closed.