Shkup, 8 mars – Integrimet euroatlantike të vendit, përmbushja e detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Prespës, mbështetja e Greqisë për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut me BE-në, bashkëpunimi bilateral mes dy vendeve, në veçanti përmes bashkëpunimit ndërkufitar që kohë të gjatë po realizohet me fondet e IPA-s, si dhe mundësitë për bashkëpunim rajonal, ishin temat në të cilat sot në Shkup u përqendruan zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe ministrja alternative e Punëve të Jashtme, Atanasia Anagnostopulu, njofton Koha.
“Nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës shënoi epokën e re të marrëdhënieve bilaterale mes vendeve tona, ndërkaq periudha që pason do ta shënojë momentumin e ri në procesin euro- integrues të Maqedonisë së Veriut me konfirmimin e pritur të vendimit për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE”, theksoi Osmani, duke potencuar se progresi në marrëdhëniet politike mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut do të konfirmohet me mbështetjen e fuqishme të Greqisë në periudhën e ardhshme, para samiteve të qershorit.
Në kuadër të takimit Osmani dhe Anagnostopulu diskutuan për mundësitë për bashkëpunim të administratës mes dy vendeve për avancim, bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave në rrjedhën e përgatitjeve të administratës dhe pjesës tjetër të strukturës negociuese për fillim të suksesshëm të negociatave me Bashkimin Evropian. (koha.mk)