Osmani në takimin e PBEJL në Antalia: Përmes bashkëpunimit rajonal i tejkalojmë dallimet që e ngarkojnë rajonin

16

Shkup, 17 qershor – Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, mori pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (PBEJL), në kuadër të presidencës turke 2020-2021 në Antalia të Turqisë.

Në paraqitjen e tij në takim, Osmani shprehu pikëpamjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut në lidhje me ngjarjet aktuale në rajon dhe ndikimin e tyre mbi bashkëpunimin e përgjithshëm si dhe mënyrat e avancimit të të njëjtit, veçanërisht në formatin e PBEJL-së.

“Kaluam një rrugët të gjatë që nga fillimi i Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore. Sot, të gjitha vendet tona harmonizohen me vlerat euro-atlantike dhe synojnë të jenë pjesë e familjes evropiane. Krahas zotimeve tona themelore për paqe dhe stabilitet, janë bërë edhe arritje të tjera të rëndësishme në fushën e bashkëpunimit rajonal, që ishte motori shtytës kryesor gjatë gjithë procesit e që gjeneronte rezultatet të rëndësishme. Përmes bashkëpunimit rajonal, thellimit të komunikimit në të gjitha nivelet shoqërore, ekonomisë, biznesit, kulturës e deri te komunikimi politik, ne po i kapërcejmë dallimet të cilat po e ngarkonin rajonin, me benefite të prekshme nga bashkëpunimi i suksesshëm rajonal”, theksoi Osmani.

Ministrat biseduan për prioritetet e presidencës turke me PBEJL-në të cilat në pjesën më të madhe iu kushtuan vendosjes së një ndërlidhjeje më të madhe të rajonit, rinisë dhe rëndësisë së saj te shoqëritë, digjitalizimit, kulturës dhe turizmit, avancimit të bashkëpunimit rajonal përmes thellimit të bashkëpunimit politik dhe ekonomik si dhe demokracisë, sundimit të ligjit, ekonomisë së tregut të lirë dhe respektimit të të drejtave fondamentale njerëzore si vlera themelore evropiane që mbeten në fokus të të gjitha vendeve anëtare të PBEJL-së.

PBEJL numëron gjithsej 13 vende anëtare të rajonit të Evropës Juglindore, ku krahas Maqedonisë së Veriut, bëjnë pjesë edhe Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Moldavia, Kosova, Rumania, Serbia, Turqia, Kroacia, Mali i Zi dhe Sllovenia.