Shkup,23 shtator – Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani mori pjesë në takimin joformal të ministrave të Punëve të Jashtme të Nismës së Evropës Qendrore (CEI), i cili u mbajt në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork.
Siç kumtoi MPJ-ja, gjatë fjalimeve të përfaqësuesve të vendeve anëtare, fokusi ishte tek agresioni ushtarak rus ndaj Ukrainës dhe mënyra se si CEI mund ta ndihmojë këtë vend.
“U diskutuan edhe modalitetet se si nisma mund t’u qaset sfidave aktuale që lidhen drejtpërdrejt me luftën – kriza energjetike dhe ndërprerja e zinxhirit të furnizimit. Në këtë drejtim, ministri Osmani bëri thirrje për përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në mekanizmat e përbashkëta të BE-së për ballafaqimin me pasojat ekonomike, financiare dhe energjetike nga invazioni rus ndaj Ukrainës. Si shembuj pozitiv, në këtë drejtim, i theksoi vendimet e qeverive të Bullgarisë dhe Greqisë për ta ndihmuar Maqedoninë e Veriut ta tejkalojë vështirësinë me mungesën e energjisë”, kumtoi MPJ-ja.
Osmani iu referua edhe zgjerimit të BE-së, për të cilin theksoi se duhet parë si “investimi më adekuat për sigurinë e vetë BE-së dhe të kontinentit evropian në tërësi”.