Tetovë, 17 korrik – Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani gjatë vizitës në Falishe të Tetovës deklaroi se ndryshimet kadrovike të cilat priten në seancën e sotme të veçantë qeveritare nevojiten që të ndryshohet fokusi i veprimit të Qeverisë dhe për këtë nevojiten ndryshimet në administratë.
“Ka marrëveshje midis partnerëve të koalicionit që mandati katërvjeçar i kësaj Qeverie të ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë të mbyllen çështjet politike dhe të arrihen qëllimet strategjike të shtetit lidhur me NATO-n dhe BE-në dhe mendojmë se deri në fund të vitit do të bëhet edhe NATO dhe fillimi i negociatave me BE-në. Pjesa tjetër e mandatit kuptohet fokusi do të bartet nga politika në politikë. Ndërsa kjo do të thotë politika për një standard më të mirë të jetesës për mjedis më të mirë jetësor për më shumë vende pune për paga më të mëdha etj..”, tha Osmani.
Ai theksoi se është plotësuar parakushti me mbylljen e temave politike.
“Për këtë partnerët e koalicionit kanë vendosur secili në oborrin e vet në partinë e vet të bëjë rikosntruktime të caktuara, gjegjësisht ripërtëritje të potencialeve kadrovike që i kanë partitë në udhëheqjen e institucioneve. Presim që secila parti të propozojë deri te Qeveria ndryshime të caktuara duke e përfshirë këtu edhe BDI-në, një pjesë do të zhvendosen nga një institucion në tjetrin, flas për përfaqësuesit tanë, një pjesë do të ndërrohen me emra të rinj”, tha Osmani.
Zëvendëskryeministri informoi se sot do të ketë vetëm vendime për shkarkime derisa në seancat e ardhshme të Qeverisë dhe të emërohen kuadro të rinj. Sipas tij, kuadrot e BE-së të cilët do të ndërrohen do të jenë më pak se 10. (koha.mk)