Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, u ka ndarë mirënjohje përfaqësuesve të legjislaturës që miratuan Deklaratën Kushtetuese më 2 korrik të vitit 1990.
Zonja Osmani tha se Deklarata Kushtetuese, e cila ishte miratuar nga 114 delegatë të përbërjes së atëhershme të Kuvendit, ishte akti politik dhe juridik që artikuloi vullnetin e qytetarëve të Kosovës për krijimin e shtetit të pavarur, e cila u konkretizua me Kushtetutën e Kaçanikut, të 7 shtatorit të po atij viti.
“Ua shpreha mirënjohjen më të thellë, timen dhe të Kuvendit të Kosovës, për aktin sa heroik aq njerëzor të secilit prej tyre, duke nisur nga ish-kryetari, (Ilaz) Ramajli, delegatët e pranishëm sot, delegatët që për arsye moshe e shëndeti nuk mund të ishin sot me ne dhe, në veçanti, atyre grave e burrave që tashmë nuk janë mes nesh”, ka thënë Osmani.
“Që të gjithë do të mbahen në mend përjetësisht, sepse në vorbullën politike të kohës, kur vendi ynë po vihej egërsisht nën çizmen e regjimit serb, ata i dolën zot atij dhe e artikuluan vullnetin politik të qytetarëve liridashës për Kosovën Republikë”, ka theksuar ajo.
“Ne u përkulemi sot, sepse ata e kuptuan se në botën e përplasjeve të mëdha ideologjike të fundviteve ’80, orientimi drejt vlerave demokratike, përqafimi i idesë së lirisë për veten dhe për tjetrin, si dhe refuzimi i ideologjisë komuniste ishin edhe vullnet edhe orientim strategjik”, ka thënë më tutje Osmani.
“Sot themelet e shtetit tonë qëndrojnë mbi vendimin e këtyre delegatëve për ta refuzuar dhunën dhe për t’i përqafuar vlerat e lirisë. Prandaj, si Kryetare e Kuvendit i falënderoj në emër të të gjitha legjislaturave pas asaj të 2 korrikut dhe t’i siguroj se çdo veprim yni në jetësimin e lirive njerëzore dhe në promovimin e tyre do të jetë i frymëzuar nga parimet që i vulosën këta delegatë me Deklaratën Kushtetuese”, ka thënë ajo.
“E, njëri ndër këto parime është këmbëngulja për ta jetësuar shtetin e së drejtës dhe mosdorëzimi para çfarëdo lloj pengese. Ne qëndrojmë fort mbi këtë parim sepse delegatët e 2 korrikut i kishim shembull nga i cili mësuam”, ka theksuar Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.