Shkup, 24 shkurt – Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani në profilin e tij në Fejsbuk publikoi se pasdite në Sofje, është takuar me kolegen e tij bullgare Ekatrina Zaharievën, me të cilën ka biseduar për bashkëpunim sektorial dhe përgatitjet për mbajtjen e mbledhjes së komisionit ndërqeveritar.
“Në kthim nga vizita në Paris, ndalova në Sofje dhe takova ministren e Punëve të Jashtme Ekaterina Zaharievën, me të cilën biseduam për bashkëpunimin sektorial dhe mbajtjen e mbledhjes së komisionit ndërqeveritar si instrument që del nga marrëveshja për fqinjësi të mirë menjëherë pas harmonizimit të planit të veprimit për bashkëpunim sektorial”, thekson Osmani në publikimin në Fejsbuk.
Ministria e Punëve të Jashtme bëri të ditur se në takimin Osmani – Zaharieva janë shqyrtuar aktualitetet të lidhura me krizën e Kovid-19 dhe mënyrat se si dy vendet realizojnë bashkëpunim për t’u ballafaquar me këto sfida.
“Me këtë rast Zaharieva pohoi se po bëhen përpjekje për gjetjen e mënyrës për porosinë me vaksinat e premtuara për Republikën e Maqedonisë së Veriut”, theksohet në kumtesë.
MPJ informoi se në vazhdim të takimit është biseduar për Planin i veprimit për bashkëpunim të ndërsjellë, mundësi për finalizimin e tij, në funksion të dakordimit të Marrëveshjes eventuale të Konferencës së dytë ndërqeveritare mes dy qeverive, bashkëkryesues të së cilës janë të dy ministrat Osmani dhe Zaharieva
“Bashkëbiseduesit shprehën mirënjohje nga bashkëpunimi i deritanishëm dhe shfrytëzuan rastin edhe për shkëmbime të mendimeve dhe tema tjera nga interesi i përbashkët i të dyja palëve”, shtohet në kumtesë.
Siç paraprakisht lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Sofja, menjëherë pas mbërritjes në kryeqytetin bullgar, Osmani është nisur për në takim me zëvendëskryeministren bullgare dhe ministre e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharievën në rezidencën qeveritare në Bojana.
Zëdhënësi qeveritar Dushko Arsovski në konferencën e sotme për shtyp informoi se pritet pikë qendrore e bisedimeve midis Osmanit dhe Zaharievës të jetë Plani i veprimit dhe se më shumë informacione për të atë çfarë është dakorduar do të ketë pas kthimit të ministrit nga Sofja.
“Ndryshe, e dini se edhe më parë, harmonizimi i dy dokumenteve që kanë dorëzuar të dyja palët është në fazën përfundimtare, ashtu që pritet më saktë pas këtij takimi rreth hapave të ardhshëm”, tha Arsovski.