Shkup, 28 janar – Sfidat dhe perspektivat e presidencës rumune me Bashkimin Evropian kanë qenë temë e bisedimeve në takimet që zëvendëskryeministri i Çështjeve Evropiane Bujar Osmani i realizoi gjatë vizitës së tij në Rumani, raporton Koha.mk
Krahas takimit me kryeministren Viorika Dançilla dhe me ministrin e Çështjeve Evropiane Xheorxhe Çiamba, zëvendëskryeministri Osmani është takuar edhe me ministrin e Punëve të Jashtme Teodor Maleshkanu dhe ministrin e Fondeve Evropiane Rovana Plumb. Në Parlamentin rumun, Osmani ka realizuar takime edhe me kryetaren e Komisionit për çështje evropiane Gabriela Kretu dhe me zëvendëskryetarin e Dhomës përfaqësuese, Florin Lordake.
“Parlamentet kombëtare luajnë rol shumë të rëndësishëm në harmanizimin e legjislacioneve dhe përshtatjen e tyre me legjislacionin e ‘AKI’ dhe në këtë drejtim pres aktivitete të përforcuara në periudhën e ardhshme, posaçërisht në drejtim në bashkëpunimit të ndërsjellë mes të dy shtëpive ligjdhënëse dhe shfrytëzimin e përvojës rumune në këtë proces”, ka theksuar Osmani.
Në kuadër të takimeve, siç kumtoi Sekretariati për Çështje Evropiane, Osmani e ka hapur temën edhe për kohën dhe distribuimin e mjeteve IPA, si një prej elementeve të rëndësishme për mbështetjen e integrimeve evropiane dhe europizimin e vendit.
Gjatë takimeve është biseduar edhe për sfidat me të cilat po ballafaqohet Bashkimi Evropian, siç janë zgjedhjet e ardhshme lokale, implementimin dhe pasojat eventuale të Bregzitit, migrimit, fundamentalizmi gjithnjë e më i ashpër, lajmet e rreme etj., me ç’rast është konstatuar se këto sfida janë të përbashkëta për tërë kontinentin dhe se me aktivitete të përbashkëta për tërë kontinentin dhe me aktivitete të përbashkëta të harmonizuara mund të bëhet mbrojtje adekuate. (koha.mk)