Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani vlerëson se me ndryshimet e propozuara të Kodit Zgjedhor nuk humb BDI-ja si parti e madhe politike, por humbin shqiptarët. Sipas tij reagimi nuk ka të bëjë me LSDM-në, por me faktin që të mos lejojnë që të ulet numri i deputetëve shqiptarë për shkak të modelit zgjedhor.
“Është e vërtetë se një njësi zgjedhore më shumë i përshtatet BDI-së. Simulimin të cilin e ka bërë LSDM-ja është i saktë se BDI-ja fiton dy vende të deputetëve më shumë me një njësi zgjedhore sesa me gjashtë njësi zgjedhore, megjithatë simulimet e njëjta tregojnë se numri total i deputetëve shqiptarë bie për tetë deri në 10 deputetë. Po BDI-ja fiton si parti e madhe te shqiptarët, por numri total i deputetëve bie për tetë deri në dhjetë sepse në një njësi zgjedhore Formula e Dontovit i grumbullon votat nga partitë më të vogla i jep partive më të mëdha dhe kështu bie numri total i deputetëve shqiptarë”, deklaroi Osmani në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve.
Theksoi se reagimi i BDI-së aspak nuk ka të bëjë me LSDM-në, në disa marrëdhënie mes koalicionit, por ka të bëjë me faktin se, siç tha, nuk do të lejojmë që të bie numri i deputetëve shqiptarë për shkak të modelit zgjedhor.
Grupi parlamentar i BDI-së ka dorëzuar gati 5.000 amendamente të propozim-ndryshimeve të Kodit Zgjedhor.