Gjendja me përparimin e Republikës së Maqedonisë në proceset eurointegruese, duke u ndalur në implementimin e Planit 3-6-9, si dhe kapërcimin e barrierave politike për afrimin drejt BE-së dhe NATO-s ishin temat e bisedimeve të zëvendëskryetarit të Qeverisë, përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani në takimin në Bruksel me Gjenoveva Ruiz Kalavera, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Zgjerim të Bashkimit Evropian.
Siç njoftoi SÇE-ja, në takimin me Ruiz Kalaverën u hapën edhe çështjet për shfrytëzimin e mjeteve nga fondet IPA, nga ana e Maqedonisë, për çka Osmani tha se është në fazën përfundimtare përgatitja e të ashtuquajturit IPA MASTER PLAN, që përmban masa dhe aktivitete me të cilat duhet të përmirësohet struktura IPA, si dhe të avancohet aftësia absorbuese për shfrytëzimin e mjeteve nga fondet IPA. “IPA MASTER PLANIN po e përgatisim së bashku me Delegacionin e BE-së në Shkup, për çka kemi takime të rregullta, dhe i njëjti do të jetë së shpejti në publik dhe do të fillojë implementimi i tij,”- theksoi zëvendëskryeministri Osmani.
Ai shtoi se pret nga Komisioni Evropian dhe të gjitha organet e tij mbështetje për reformat në strukturat IPA, për shkak se, siç theksoi Osmani, kjo do të thotë afrim me standardet evropiane që është një ndër arsyet kryesore për të gjithë procesin e integrimit evropian. Zëvendëskryetari i Qeverisë, përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, ndodhet për vizitë dy ditore ne Bruksel, ku ndër të tjera realizoi takime me nënkryetaren e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuese e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë të Bashkimit Evropian, Federika Mogerini, si dhe me Komisionerin e Zgjerimit, Johanes Han.