Shkup, 16 tetor – Maqedonia dhe Suedia kanë marrëdhënie jashtëzakonisht pozitive dhe miqësore politike, që paraqet potencial të gjerë për bashkëpunim të dy ekonomive. Këtë e theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani në takim me Karl Johan Hedberg dhe Edin Çollak, përfaqësues të “Suedisë së Biznesit”, roli i të cilëve është të eksplorojnë dhe promovojnë potencialet e biznesit për kompanitë suedeze.
Osmani në takim, siç informojnë nga Sekretariati për Çështje Evropiane, ka theksuar aktivitetet e shtetit suedez si në progresin e integrimit evropian dhe euroatlantik të vendit, ashtu edhe në ndihmën e drejtpërdrejtë bilaterale që Suedia e siguron për Maqedoninë.
“Maqedonia është në fillim të fazës së fundit të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian – skriningut shpjegues para fillimit të negociatave, që do të thotë sinkronizim i plotë i ekonomisë dhe shoqërisë sonë me atë të Unionit”, theksoi Osmani.
Sipas tij, periudha në vazhdim është mundësinë më e mirë e biznesit për investime direkte të huaja, duke e pasur parasysh progresin politik, institucional dhe shoqëror që vendi e pret.
“Suedia e Biznesit” (Business Sweden), paraqet partneritet institucional të Qeverisë dhe sektorit të biznesit suedez, roli i të cilit është të sigurojë potencial për shkëmbim ekonomie dhe biznesi të ekonomisë suedeze, t’i vërtetojë dhe promovojë mundësitë për bashkëpunim të biznesit dhe të ekonomisë, si dhe të sigurojë qasje të kompanive suedeze në tregjet e huaja dhe mundësi për investime.