Shkup, 12 shtator – Zëvendëskryeministri i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani sot mbajti takim me Ambasadorin e sapoemëruar të Mbretërisë së Holandës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Dirk Jan Kop.
Në takim, siç njoftojnë nga kabineti i Osmanit, u diskutuan aktualitetet në vend, bashkëpunimi i deritanishëm mes dy vendeve, me theks të veçantë euro- integrimet, në prag të pritjeve të samiteve të ardhshme të Bashkimit Evropian në tetor të këtij viti.
Osmani shprehu mirënjohje të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme nga ana e Mbretërisë së Holandës, vend i cili që nga pavarësia e vendit tonë është një ndër donatorët më të mëdhenj dhe mbështetës i fuqishëm i integrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE dhe NATO.
Në këtë drejtim ai potencoi se mbështetja e Holandës në zbatimin e agjendës reformuese të Bashkimit Evropian është e rëndësisë thelbësore për ne, në veçanti kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit dhe qeverisjes së mire, respektivisht përforcimi institucional i vendit, si një ndër përfitimet kryesore të jetës së shoqërisë bashkëkohore, por edhe si bençmark për progresin në integrime evropiane.