Tetovë, 2 qershor – Komisioni për sëmundje ngjitëse ende po vlerëson nëse duhet të hiqet ndalesa për transportin publik në rajonin e Tetovës, theksoi sot koordinuesi kryesor i shtabeve komunale të krizës dhe zëvendëskryeministër për Çështje evropiane, Bujar Osmani nga Tearca e Tetovës.
Sipas tij, vendimi pozitiv është i mundur për disa ditë, ndërsa në rast të tillë njerëzit duhet të kenë mbrojtje personale.
“Pati kërkesë nga shtabi lokal i krizës në Tetovë për hapje të transportit publik. Atë kërkesë ia përçova unë si koordinues shtabit kryesor të krizës. Komisioni për sëmundje ngjitëse konstatoi se i duhen edhe disa ditë për ta parë trendin e numrave në Tetovë, e më pas ta sjellë vendimin. Do të presim edhe ndonjë ditë dhe do të shohim cili është trendi dhe besoj se Komisioni do të sjellë masë për lehtësim të transportit”, tha Osmani.
Edhe në rast të mundësimit të transportit publik, Osmani e potencoi rëndësinë e përmbajtjes së masave për mbrojtje personale.
“Nuk ka masë më të fuqishme se vetëdija personale. Asnjë politikan nuk duhet t’i kundërshtojë vendimet e Komisionit për sëmundje ngjitëse. Ata janë ekspertë, ata e dinë se çka është më mirë për t’u parandaluar sëmundja, por kuptohet, do të tentoj të argumentoj se në këtë fazë të dytë puna personale me njerëzit dhe mbështetja psikologjike dhe inkurajimi dhe lufta me lajmet e rrejshme, dhënia e informatave të sakta për njerëzit është mjaft më e fuqishme se cilat do dënime. Nuk mundet asnjë polic të hyjë nëpër shtëpi dhe të kontrollojë sa njerëz çpo tubohen dhe nëse po vendosin maska dhe ngjashëm”, tha Osmani.
Ai përkujtoi se masat janë të domosdoshme për të gjithë, sepse nuk është e saktë se vetëm njerëzit e moshuar vdesin, por se kjo ndodhë edhe me fëmijë dhe të rinj.