Shkup, 17 korrik – Kjo është kohë e vendimeve me “V” të madhe. Për Maqedoninë integrimi në BE dhe në NATO është pikë e cila na lidh në vend dhe para nesh e kemi një vit që të mund të dëshmojmë se e meritojmë anëtarësimin, porositi zëvendëskryeministri dhe kryenegociator me BE-në, Bujar Osmani në seancën e sotme të Këshillit Kombëtar për Eurointegrime.
“Kjo është kohë vendimesh me “V” të madhe. Bëhet fjalë për vendime të mëdha historike, strategjike, shtetërore të cilat secili prej nesh do të duhet t’i sjellë sipas bindjeve personale se nuk janë vetëm për ne, por edhe për gjeneratat e ardhshme. Prej nesh varet nëse do të shkojmë përpara ose do të kthehemi mbrapa. Kjo mundësi e cila është para nesh vjen vetëm një herë dhe nuk guxojmë ta humbasim. Nuk kemi më kohë për të humbur”, tha Osmani në seancën në të cilën morën pjesë edhe eurokomisari për Zgjerim, Johanes Han dhe raportuesi për Maqedoninë në PE, Ivo Vajgëll.
Theksoi se ky nuk është sukses vetëm i kësaj Qeverie, por edhe i të gjitha Qeverive paraprake dhe theksoi se vendi po shkon përpara, pasi, thotë, jemi të vetëdijshëm se vendimet tona janë të rregullta. Theksoi se nuk ka hapësirë për dilema dhe se vendi ka kapacitet për zbatimin e negociatave inkuadruese.
“Nuk ka hapësirë për skepticizëm dhe mosbesim pasi ai nuk është i bazuar. Po, ne mundemi. Mund të arrijmë rezultate. Nuk ka bazë të mos besojmë në vete se këtë proces mund ta kalojmë me sukses. Momenti është tani, ndërsa përgjegjësia është e jona. Na pret punë e madhe, së bashku jemi më të fuqishëm”, porositi Osmani.