Shkup, 12 shtator – Skuadra e Shkëndijës është ndalur me barazim 3:3 në duelin e xhiros së katërt të LPFM-së me Pobedën në Tetovë. Ndeshja u karakterizua me kthesa në rezultat, ndërsa fati ishte me miqtë që dolën me një pikë nga ky duel. Emini, Ibraimi dhe Abdurahimi shënuan për Shkëndijën, por tre golat mjaftuan vetëm për barazim, i cili realisht ishte i papritur. Pas përfundimit të ndeshjes ka folur trajneri Qatip Osmani, i cili nuk ka qenë i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij në përballjen me Pobedën.
“Assesi nuk mund të jetë i kënaqur pas një paraqitje të tillë, por bëhet fjalë për fillimin e sezonit dhe para nesh ka hapësirë për përmirësimin e gabimeve. Në përgjithësi, luajtëm larg pritshmërive tona sidomos në mbrojtje, ku lejuam që kundërshtari të shënojë tre gola. U pa qartë se në defensivë na mungoi Cuculi, kurse probleme kishim edhe në mesfushë. Mirëpo, kjo nuk duhet të shërbejë si arsye për barazimin. Para nesh kemi mjaftë punë për të bërë dhe të kapim ritmin e dëshiruar”, deklaroi Osmani.
Ndërkohë, pas këtij barazimi, Shkëndija është në krye të tabelës me 10-pikë të grumbulluara, dy më shumë se Pelisteri në pozitën e dytë. Derisa, kampioni aktual Vardari me një ndeshje më pak, ka gjashtë pikë dhe me fitore eventuale ndaj Rabotniçkit do ti afrohet skuadrës nga Tetova në vetëm një pikë. Në xhiron e ardhshme Shkëndija, kuqezinjtë nga Tetova do të jenë mysafir i Rabotniçkit. (koha.mk)