Bruksel, 16 shtator – Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane Bujar Osmani, gjatë bisedës për MIA-n, shprehet se ai është optimist se së shpejti do të arrihet kompromis mes partive politike për Ligjin për Prokurori Penale, sepse përgjegjësia për marrjen e një date të bisedimeve është shumë e lartë, ndonëse ky ligj nuk është kusht formal për këtë.
Cila është përshtypja pas takimeve në Bruksel sot, a është e mundshme të merret datë në tetor?
Fillimisht mendoj se ishte e rëndësishme që të realizohen këto takime sot dhe të transmetohet zhvillimi i ngjarjeve në vendin tonë, mirëpo edhe të fitohet një pasqyrë për atë se çfarë po ndodh në Bruksel, në mënyrë që të shfrytëzohet kjo periudhë prej 29 ditëve deri në maksimum në favor të vendimit pozitiv. Takimet janë optimiste, pozitive, kuptohet që edhe ne i kemi paraqitur argumentet tona dhe konsideroj se nëse në 29 ditët e ardhshme nuk bëhet ndonjë gabim politik në shtet dhe miratohet Ligji për Prokurorinë Publike, gjegjësisht të arrihet kompromis mes Qeverisë dhe opozitës për këtë ligj, nuk do të ketë argument cilido shtet anëtar që të thotë jo për vendimin për fillimin e bisedimeve.
Kështu thoshte Qeveria edhe në qershor se asnjë shtet anëtar nuk do të ketë argument për të thënë jo.
Unë mendoj se nuk ka pasur argumente as në qershor, vendimi u shty vetëm sepse Bundestagu nuk kishte kohë të shqyrtojë rekomandimin e Komisionit, mirëpo nga asnjë shtet anëtare ne nuk morëm asnjë bençmark të ri ose kushtëzim të ri, ose mospajtim për portofolin tonë, arsyeja ishte teknike.
A do të ndikojë rasti Reket në vendimin e tetorit?
Rasti Reket është një nga çështjet që ngritët në secilin nga takimet, qoftë ato me shtetet anëtare ose me Komisionin. Mirëpo, do të përsëris se rasti Reket, që në njëfarë mënyre është krizë, ne mund ta shndërrojmë në mundësi, me atë që institucionet do të përballen me atë në mënyrë transparente dhe efektive dhe do t’i zbardhin të gjitha aspektet, pavarësisht epilogut të këtij hetimi. Krim dhe kriminelë ka kudo, dallimi bëhet varësisht nga ajo nëse keni institucione që përballen me atë krim. Mendoj se në aspektin kohor u përshtat ky rast të na jetë si test para vendimit të madh të tetorit nëse institucionet janë pjekur me reformat e planit 3 6 9 dhe Planit 18. Ngjarjet fillestare rreth Reketit bëjnë të ditur se institucionet janë vitale, pulsojnë dhe nuk dallojnë më njerëz nën dhe mbi ligjin, por se ligjet janë të njëjta.
A mendoni se në qershor disa vende anëtare ishin të informuar se do të ketë skandal gjatë verës dhe për këtë arsye ishin të përmbajtur për datën?
Ata ndoshta kanë qenë të informuar, mirëpo nuk konsideroj se vendimi u vonua për shkak të kësaj, konsideroj se e vetmja arsye ishte mosmiratrimi i vendimit nga Bundestagu gjerman dhe mënyra se si shtetet anëtare do të vendoseshin kundrejt Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
A mendoni se ka figura politike të përfshira në skandalin Reket, qoftë nga pushteti, ose nga opozita?
Nuk është mirë që unë të spekuloj ose kushdo tjetër të spekulojë, duhet t’ia lëmë këtë Prokurorisë, porosia që ne si politikanë duhet ta dërgojmë është se nëse ka politikanë ose njerëz nga cilado pozitë e fuqisë, ata nuk duhet kursyer, kjo është porosia themelore që duhet ta dërgojmë. Dhe se pavarësisht se ku do të përfundojë kjo çështje, duhet të ketë përgjegjësi për të gjithë.
A keni fituar përshtypje në bisedimet këtu në BE se do të ishte mirë të kishit ndonjë dorëheqje për arsye morale, për shembull nga ata politikanë të përfshirë në organizatën joqeveritare në Boki 13?
Dimensioni moral nuk është diçka për të cilën vendosin kriteret objektive të Brukselit. Këta janë më shumë qytetarët tanë gjatë votimit. Ajo që e intereson Brukselin është nëse keni institucione që i trajtojnë në mënyrë të paanshme çështjet e krimit dhe korrupsionit, pavarësisht në çfarë pozicioni politik gjenden. Kjo u intereson dhe konsideroj se duhet ta dërgojmë këtë porosi. Çështja e përgjegjësisë morale është çështje që çdo politikan e përcakton në varësi të pritjeve të votuesve të tij.
Nëse deri më 15 tetor nuk ka marrëveshje për Ligjin për PP-në, mendoni se kjo mund të ndikojë në datën?
Formalisht ne nuk kemi një bençmark të ri dhe kushtëzim për të miratuar Ligj për Prokurorinë Publike. Formalisht. Mirëpo, shumica e vendeve anëtare e ngritin atë si një nevojë dhe domosdoshmëri në mënyrë që t’u përmirësohet pozicioni gjatë argumentimit në Këshillin e Punëve të Përgjithshme të BE-së. Kështu që, është mirë të miratohet ky ligj nëse duam të kemi një portofol të pastër përpara Këshillit. Mirëpo, edhe tani, meqë dy parimet themelore pse insistojmë në ligj janë: një, të kemi institucion që në mënyrë retroaktive dhe proaktive do të merret me korrupsionin e nivelit të lartë dhe dy, asnjë rast prej përgjimeve nuk duhet të mbetet i pazbardhur, gjegjësisht të zhduket ose rrënohet politikisht. Këto dy parime, përveç që interpretohen ndryshe në raport me bazën juridike, tashmë në një farë mënyre kanë fatin e garantuar se do të trajtohen nga Prokuroria Publike. Fakti që unë jam optimist është se ka hapësirë për partitë politike që të arrijnë kompromis për ligjin dhe duke respektuar këto dy parime themelore të themelojnë Prokurorinë e re për Korrupsion të Lartë, ku do të përfshihen edhe këto lëndë nga ish PSP-ja.
Pra, jeni optimist se do të gjendet zgjidhje?
Jam optimist se shumë shpejt do të gjendet zgjidhje, meqë konsideroj se do të jetë shumë e madhe përgjegjësia dhe barra e atij politikani ose partie politike që do të na e marrë mundësinë për fillimin e bisedimeve me BE-në.
Çfarë mendoni për propozimin e Presidentes së KE-së për komisionar të Zgjerimit të jetë hungarezi Troçanji i cili vjen nga Qeveria e Orbanit, i cili e mbron Nikolla Gruevskin?
Shikoni, Hungaria është një nga mbështetësit më të zëshëm të zgjerimit dhe konsideroj se komisionari i ri, nëse konfirmohet nga Parlamenti Evropian, do të punojë në perspektivën që Ballkani Perëndimor të anëtarësohet në BE. Dallimet që i kanë mes vete vendet anëtare në raport me respektimin e vlerave evropiane mendoj se nuk është çështje në të cilën ne duhet të ndërhyjmë, për ne BE-ja është një trup me të cilin komunikojmë. Kur do të jemi anëtare ndoshta do të kemi qëndrim të ndryshëm për çështje të ndryshme, se si sillen vendet anëtare, në këtë moment konsideroj se duhet të respektojmë vendimet e Komisionit Evropian, të përqendrohemi në përpjekjen për të përmbushur standardet brenda dhe të mos krijojmë armiq nga cilido shtet anëtar ose cilido fqinj.