Shkup, 3 dhjetor – Skuadra e Rënovën ka shënuar fitore në fushë mysafire ndaj Akademija Pandevit, në kuadër të xhiros së 14 në Ligën e Parë futbollistike të Maqedonisë së Veriut. Kjo fitore ishte e dyta me radhë nën drejtimin e Qatip Osmani, i cili ka arritur të ringjallë ekipin nga Xhepçishti në dy takimet e fundit. Renova shënoi fitore minimale 1:0, këtë herë duke iu falënderuar golit të Shefit Shefitit në minutën e 73.
Pas kësaj fitore trajneri Qatip Osmani është shprehur i lumtur për rezultatin e arritur.
“Jemi të kënaqur me fitoren e arritur. Kemi fituar dy takimet dhe kemi marrë gjashtë pikë. Ndaj Akademia Pandev kemi zhvilluar një ndeshje të mirë, me shumë luftë dhe mund të them se i rëndë nga ana psikologjike. Të dy ekipet dëshironim fitoren, por ja që ishim ne ekipi që kishim më shumë fat dhe me meritë kemi arritur të fitojmë. Kjo fitore le të jetë nxitje që në të ardhmen të zhvillojmë edhe ndeshje më të mira”, theksoi trajneri Qatip Osmani.
Skuadra e Renovës, pas kësaj fitore ngjitet në kuotën e 14 pikëve, duke u radhitur në vendin e 9 në tabelën e klasifikimit. (koha.mk)