Shkup, 20 shkurt – Kemi dinamikë jashtëzakonisht të suksesshme në zbatimin e reformave të parapara në Planin 18, që besoj do të rezultojë me raport edhe më të mirë nga Komisioni Evropian nga ai i vitit të kaluar, së bashku me një rekomandim të pakusht deri te Këshilli i BE-së, ka vlerësuar sot zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane Bujar Osmani, në kuadër të vizitës në Bruksel në brifingun para përfaqësuesve të Grupit Punues në Këshillin e BE-së për Ballkanin Perëndimor/Zgjerim (KOVEB/KOELA).
Osmani, kumtoi Sekretari për Çështje Evropiane, në takim ka shprehur pritjen se progresi do të rezultojë me konfirmimin e vendimit të Këshillit të BE-së në qershor, për fillimin e negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Osmani brifoi për progresin e vendit në realizimin reformave të parapara në drejtim të përgatitjes së vendit për fillimin e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian, duke potencuar dinamikën e zbatimit të reformave të parapara në Planin 18, në veçanti në fushat kyçe të sundimit të së drejtës, shërbimet e sigurisë dhe të inteligjencës, reforma në administratën publike dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Gjatë vizitës së punës në Bruksel, zëvendëskryeministri Osmani do të merr pjesë edhe në brifingun më me ndikim në qendrën think – tank për politikë Evropiane (EPC) në temë “Maqedonia e Veriut në rrugën drejt BE-së: “Houm ran” në negociata për aderim?”. Më vonë Osmani do të merr pjesë edhe në konferencë në temë: Siguri në EJL- siguri në Evropë” nën organizimin e fondacionit Hans Sejdel (Hanns Seidel Foundation).
Janë paralajmëruar edhe takimet të Osmanit me eurokomisarin për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore, Johanes Han, si dhe Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, dhe Nënkryetare e Komisionit Evropian, Federika Mogerini. (koha.mk)