Shkup, 1 korrik – Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, paraditen e sotme në sheshin Skënderbeu në Shkup pati fjalim para mediave lidhur me mbulimin e barabartë mediatik të të gjitha partive, përfshirë këtu edhe trajtimin e barabartë të të gjithë kandidatëve për kryeministër.
Për herë të parë në histori, tha Osmani, qytetarëve të Maqedonisë së Veriut ju mundësohet të zgjedhin më shumë se dy opsione për Kryeministër të tyre. Për herë të parë, nuk janë vetëm dy kandidatë të dy partive maqedonase që kërkojnë këtë pozicion, por edhe një kandidat jo partiak dhe i pavarur shqiptar.
“Kryeministri ynë i parë shqiptar nuk do të jetë vetëm Kryeministër i shqiptarëve, por i të gjithë qytetarëve dhe ky është një sinjal i fortë për atë që ne e quajmë shtet i barabartë. Është sinjal i fortë për BE-në që vendi ynë është i gatshëm t’i bashkohet familjes evropiane, sepse ne e kemi tejkaluar nacionalizmin dhe ndarjet etnike”, theksoi Osmani.
Ai shtoi se kryeministri i pavarur dhe jo partiak nuk është vetëm një ofertë për elektoratin shqiptar, por është ofertë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët janë të pakënaqur me sistemin politik të këtij pushteti, i cili e mbajti vendin tonë të mbërthyer në luftë politike për shumë vite.
“T’ju ofrosh qytetarëve mundësi të re, opsion të tretë, pa dyshim se është një hap i rëndësishëm për progresin e një demokracie të zhvilluar, për këtë arsye ne ju bëjmë thirrje Mickovskit dhe Zaevit të dalin në debat publik, ku të tre kandidatët mund ti paraqesin dhe t’i diskutojnë idetë e tyre për të ardhmen e vendit tonë”, potencoi Osmani.
Zëvendëskryeministri Osmani në fund të fjalimit tha se nga mediat kërkon që me respekt të plotë ndaj përgjegjësisë së tyre demokratike dhe në interes të publikut, të sigurojnë barazi në debate dhe t’i sigurojnë audiencës së tyre, debate të ndershme, mes tre kandidatëve për kryeministër, ku të gjithë presin debate interesante mes dy kandidatëve maqedonas Zaev dhe Mickovski si dhe kandidatit të parë shqiptar për Kryeministër, Naser Ziberi.