Uashington, 8 shkurt – Zëvendëskryeministri i angazhuar për çështje evropiane, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës disaditëshe të punës në Uashington, në Kongresin amerikan realizoi disa takime, ndërkaq mes tjerash edhe takim pune me kryesuesin e ri me Komitetin për politikë të jashtme në Kongres, Eliot Engëll, njofton Koha.
“Si asnjëherë më parë, i tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor ndodhet nën ndikim të momentumit të përforcuar evropian dhe euroatlantik, në të cilin Maqedonia, me sjelljen e vet dhe suksesin euroatlantik, ka rol të rëndësishëm në përforcim të këtij ndikimi”, theksoi Osmani në takim, duke shprehur falënderim të madh për kongresistin Engëll, roli i të cilit në krijimin e orientimit perëndimor të tërë rajonit ballkanik është i qartë.
“Me praninë, angazhimin dhe mbështetjen tuaj latë gjurmë të pashlyeshme në implementimin e vlerave perëndimore të rajonit të tërë Ballkanit, në baza të të cilave është ndërtuar edhe suksesi i sotëm në përparimin e mbarë rajonit, si dhe në suksesin tonë për ta realizuar ambicien tonë themelore – anëtarësimin në NATO”, theksoi Osmani në takim, duke e uruar me atë rast kongresistin Engëll për pozitën e re, si kryesues me Komitetin për politikë të jashtme në Kongresin e SHBA-së.
“Ky funksion i ri na udhëzon për bashkëpunim të ardhshëm të mëtutjeshëm. për çka, si njohës i mirë i mundësive rajonale, pres të ketë ndikim akoma më pozitiv ndaj implementimit të vlerave perëndimore të Ballkanit”, theksoi osmani.
Kongresisti Engëll ia dorëzoi osmanit letrën, me të cilën ai si kryesues i komitetit për politikë të jashtme të Kongresit amerikan, së bashku me kongresistin Majkëll MekKol, i cili, gjithashtu, është anëtar i komitetit, i drejtohen drejtpërdrejtë sekretarit amerikan të Shtetit, Majk Pompeo, për mbështetje të Maqedonisë në aspiratat e saja euroatlantike, për çka në letër cekin se paraqet interes të drejtpërdrejtë të SHBA-së dhe aleatëve të saj.
Paraprakisht Osmani mori pjesë edhe në mëngjesin tradicional të lutjeve në organizim të presidentit amerikan, ndërkaq në kuadër të vizitës në Kongresin amerikan, realizoi takim me kongresistin Stiv Stilers, i cili deri në janar të këtij viti e kryente funksionin kryetar i Komitetit nacional republikan në Kongresin e SHBA-së, ndërsa në suaza të vizitës në Senat, Osmani realizoi takim edhe me senatorin Ron Xhonson, i cili njëherit është kryesues edhe me Komitetin për siguri të brendshme dhe çështje qeveritare pranë Senatit të SHBA-së. (koha.mk)