Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij të punës në Bruksel mbajti brifing joformal me përfaqësuesit e Grupit Punues në Këshillin e BE-së për Ballkanin Perëndimor (KOVEB).
Në takim Osmani brifoi për gjendjen aktuale politike në vend, duke vlerësuar klimën politike si pozitive për implementimin e reformave të parapara, në veçanti tani pas vendimit të parë për qasjen drejt ndryshimeve Kushtetuese në përputhje me Marrëveshjen e Prespës, me të cilin u zhbllokua edhe puna në Kuvend.
“Si Qeveri dhe si shtet me kujdes punojmë në përmbushjen e të gjitha vërejtjeve dhe rekomandimeve të cilat i përmban Raporti i Komisionit Evropian, në veçanti ato që ju referohen edhe konkluzioneve të samiteve të qershorit të Këshillit të BE-së, me të cilat do të ndërtojmë një portfolio solide që do të sigurojë konfirmimin e vendimit nga ana e Këshillit qershorin e ardhshëm dhe fillimin e negociatave”, theksoi Osmani, duke potencuar progresin edhe në implementimin e ndryshimeve kushtetuese, si dhe reformave të Planit 18.
Ai informoi se Plani 18 tani më u miratua në Qeveri dhe implementimi i tij, tani për tani, po zhvillohet pa pengesa. Ai shprehu pritje se që kohë të adresohen të gjitha fushat kyçe duke pasur parasysh se ritmi i implementimit të reformave u përforcua pas zhbllokimit të Kuvendit me dritën e parë jeshile për ndryshime kushtetuese.
Osmani e theksoi edhe progresin në formimin e grupit negociues dhe përgatitjen e shtetit për fillimin e negociatave.
Nënkryeministri Osmani, në cilësinë e kryenegociatorit dhe shefit të delegacionit shtetëror për negociata me BE-në, e kryeson delegacionin e Maqedonisë në Bruksel i cili sot e fillon skriningun përgatitor për Kapitullin 24 të titulluar “Drejtësi, liri dhe siguri”.
Osmani do të mbajë takim pune edhe me Eurokomisarin për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore, Johanes Han.